Komunat kërkojnë qartësi për investimet në energjinë e ripërtëritshme
September 24, 2026
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka organizuar një takim me institucionet qendrore dhe kompanitë e sektorit të energjisë për të diskutuar procedurat që duhet të ndjekin komunat për investime në energjinë e ripërtëritshme, veçanërisht për kapacitete të vogla dhe projekte për vetëkonsum.
Takimi u organizua në kuadër të një projekti me GIZ dhe mblodhi përfaqësues të komunave, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, KEDS-it, KESCO-s dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Një pjesë e diskutimeve u përqendrua te hapat që duhet të ndjekë një komunë nga planifikimi i projektit deri te lidhja me rrjetin dhe përdorimi i energjisë së prodhuar, përcjell Energy Monitor.
Përfaqësuesit e KEDS-it prezantuan procedurat dhe kushtet teknike për kyçjen në rrjet, ndërsa KESCO trajtoi marrëdhëniet e furnizimit me prosumatorët, matjen dhe faturimin e energjisë.
ZRrE prezantoi kuadrin rregullativ dhe të drejtat e obligimet që lidhen me statusin e prosumatorit.
Këto çështje janë bërë më të rëndësishme me rritjen e projekteve të vetëkonsumit në Kosovë. Në korrik, ZRrE raportoi se kapaciteti total i vetëkonsumatorëve fotovoltaikë kishte arritur në rreth 40 MW.
Përfaqësuesit komunalë paraqitën sfidat që hasin gjatë përgatitjes së projekteve dhe kërkuan më shumë qartësi për procedurat, kushtet e kyçjes dhe mënyrën e trajtimit të energjisë së prodhuar, transmeton Energy Monitor.
Arsim Osmani nga Asociacioni i Komunave tha se bashkëpunimi ndërmjet komunave, institucioneve qendrore dhe operatorëve të sektorit është i nevojshëm për të bërë të zbatueshme këto investime.
AKK njoftoi se do të vazhdojë të përcjellë çështjet e ngritura nga komunat dhe dialogun me institucionet përgjegjëse.