Home / Lajme / Kosova / INDEP: Qeveria duhet ta nisë menjëherë mbështetjen për familjet në varfëri energjetike

INDEP: Qeveria duhet ta nisë menjëherë mbështetjen për familjet në varfëri energjetike

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka kërkuar që Qeveria e re ta nisë trajtimin e varfërisë energjetike me funksionalizimin e mbështetjes për familjet e cenueshme gjatë dimrit 2026–2027.

Në qarkoren e re të publikuar “Sekuencimi i masave kundër varfërisë energjetike – Detyrat e menjëhershme të Qeverisë së re”, INDEP thekson se familjet nuk duhet të presin përfundimin e reformave ligjore apo projekteve afatgjata për të përfituar mbështetje për faturat e energjisë.

Sipas dokumentit, programi i ri për konsumatorët e cenueshëm për sezonin 2026–2027 është ende në konsultim publik, ndërsa drafti parasheh që aplikimet të hapen nga 1 tetori 2026 deri më 31 mars 2027.

INDEP vlerëson se koha e përfitimit është një nga çështjet kryesore të programit. Ky institut propozon që, në rastet kur një aplikim i plotë vonohet për arsye administrative, e drejta e përfitimit të ruhet nga muaji i dorëzimit të aplikimit.

Qarkorja i referohet edhe vonesave të sezonit të kaluar. Sipas saj, më 3 mars 2026 ministria përgjegjëse kishte njoftuar se pagesat për janarin dhe shkurtin ishin vonuar për shkak të mosmiratimit në kohë të buxhetit dhe se mbështetja do të reflektohej në faturën e marsit.

INDEP propozon që Qeveria, Ministria e Financave, Thesari dhe furnizuesi të përcaktojnë paraprakisht kalendarin e financimit dhe procedurën e kreditimit, në mënyrë që mbështetja të reflektohet në faturat e përfituesve në kohë.

Instituti INDEP kërkon gjithashtu një procedurë urgjente për familjet që rrezikojnë ndërprerjen e energjisë gjatë kohës që aplikimi i tyre është duke u shqyrtuar.

/Buletini Ekonomik

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com