Bizneset, institucionet publike dhe palët e tjera të interesit kanë diskutuar për përgatitjen e Kosovës për Mekanizmin e Rregullimit të Kufirit për Karbonin (CBAM) të Bashkimit Evropian dhe ndikimin e kërkesave të reja në konkurrueshmërinë e kompanive.
Forumi i parë i Ekonomisë së Gjelbër, sipas Helvetas Kosovo, mblodhi përfaqësues të bizneseve dhe institucioneve, përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për të diskutuar kërkesat që lidhen me emetimet dhe hapat praktikë që nevojiten për përgatitjen e bizneseve.
Një nga temat ishte mundësia e vendosjes së një çmimi vendor të karbonit dhe ndikimi që një mekanizëm i tillë mund të ketë në zhvillimin rajonal dhe konkurrueshmërinë e bizneseve, njofton Energy Monitor.
Diskutimet u përqendruan edhe në mundësitë për shfrytëzimin e mbështetjes së BE-së, përfshirë Instrumentin për Reforma dhe Rritje Ekonomike (Growth Facility), për të avancuar përgatitjet dhe tranzicionin e gjelbër.
Një tjetër fokus ishte përshtatja e eksportuesve të Kosovës me CBAM-in dhe ndryshimet e mundshme në tregti dhe konkurrueshmëri në tregjet kryesore të eksportit, njofton Energy Monitor.
Çështja e emetimeve është veçanërisht e rëndësishme për Kosovën për shkak të peshës së sektorit energjetik. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 82.8 për qind e emetimeve të CO₂ në vitin 2023 kanë ardhur nga sektori i furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar.
Forumi organizohet nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime (NCEI), me mbështetjen e projektit “Greening Private Enterprises in Kosovo” (GPEK).
GPEK është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i zbatuar nga Helvetas Kosovo. Projekti synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në përmirësimin e efikasitetit të burimeve, uljen e ndikimit mjedisor dhe përshtatjen me standardet dhe kërkesat e reja të tregjeve.



