Përfaqësues të institucioneve, sektorit privat, organizatave dhe ekspertë të bujqësisë kanë diskutuar në Prishtinë hapat që Kosova duhet të ndërmarrë për përshtatjen e bujqësisë ndaj ndryshimeve klimatike.
Në tryezën “Veprimet për Ndryshimet Klimatike në Bujqësi – Zgjidhje të Përbashkëta për Kosovën”, të organizuar nga AgroDev Kosovo, u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet e dala nga konsultimet me palët e interesit.
Ndër rekomandimet kryesore janë forcimi i koordinimit ndërmjet institucioneve, përcaktimi i përgjegjësive për çështjet klimatike dhe krijimi i një grupi të përhershëm punues për ndryshimet klimatike në bujqësi, të koordinuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Pjesëmarrësit kërkuan gjithashtu hartimin e një plani kombëtar të veprimit për përshtatjen e bujqësisë ndaj ndryshimeve klimatike dhe integrimin e masave klimatike në programet e mbështetjes dhe investimeve në bujqësi, përcjell Energy Monitor.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe forcimit të shërbimeve këshilluese dhe digjitale për fermerët, si dhe rritjes së financimit për projekte pilot, kërkim dhe inovacion.
Në kuadër të tryezës u prezantuan edhe dy projekte pilot. Njëri trajtoi përdorimin e ftohjes me spërkatës për reduktimin e stresit termik në kultivimin e mjedrës, ndërsa tjetri përvojën me bimët mbuluese në parcela demonstruse.
AgroDev Kosovo tha se aktiviteti u mbështet nga projekti EREA, i cili implementohet nga Caritasi Zviceran në Kosovë dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.



