Komunat e Kosovës pritet të kenë udhëzime më të qarta për planifikimin dhe zbatimin e masave për energjinë dhe klimën, përmes rishikimit të modelit dhe udhëzuesit për Planet Komunale të Veprimit për Energjinë dhe Klimën (MECAP).
GIZ Kosova dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës kanë mbledhur përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale për të diskutuar mënyrën se si prioritetet kombëtare për energjinë dhe klimën mund të kthehen në veprime në nivel komunal, përcjell Energy Monitor.
Versioni i rishikuar i modelit dhe udhëzuesit MECAP synon t’u japë komunave orientime më të qarta për veprimet klimatike, barazinë gjinore, përfshirjen sociale dhe varfërinë energjetike.
Komunat në qendër të zbatimit të politikave energjetike dhe klimatike
Komunat kanë rol të drejtpërdrejtë në një pjesë të masave që lidhen me tranzicionin energjetik dhe klimatik, nga përmirësimi i efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike deri te masat për përballimin e ndikimeve të ndryshimeve klimatike.
GIZ ka mbështetur edhe më herët komunat e Kosovës në planifikimin e masave të efiçiencës së energjisë dhe në zhvillimin e planeve komunale të veprimit. Përmes mbështetjes së re, fokusi zgjerohet edhe te përfshirja sociale dhe çështjet gjinore në planifikimin lokal, raporton Energy Monitor.
Procesi është pjesë e projektit “Support to the Climate and Energy Transition Partnership”, i mbështetur nga Ministria Federale Gjermane për Mjedisin, Veprimin Klimatik, Ruajtjen e Natyrës dhe Sigurinë Bërthamore (BMUKN), përmes Iniciativës Ndërkombëtare për Klimën (IKI), dhe i zbatuar nga GIZ.
Rishikimi i udhëzuesit synon që komunat të kenë një bazë më të qartë për t’i lidhur nevojat lokale me objektivat më të gjera të Kosovës për energjinë dhe klimën.



