Kompania TESSA Energy ka vënë në funksion kapacitetet e reja kogjeneruese në Çair të Shkupit, një investim prej 2.5 milionë eurosh që kombinon prodhimin e energjisë elektrike dhe asaj termike për sistemin e ngrohjes qendrore në Çair dhe Butel.
Impianti i ri përdor dy motorë me gaz natyror dhe ka kapacitet të instaluar prej 2.1 MW për prodhimin e energjisë elektrike dhe 2.6 MW termike. Sipas të dhënave të prezantuara në inaugurim, sistemi mund të arrijë shfrytëzim të përgjithshëm të energjisë deri në 90%, pasi nxehtësia e prodhuar gjatë gjenerimit të energjisë elektrike përdoret për ngrohje.
Nxehtësia e rikuperuar nga impianti transferohet në sistemin e Energy Ecolink, operatori që menaxhon prodhimin, shpërndarjen dhe furnizimin me energji termike në këtë pjesë të Shkupit. Në fazën e parë, sistemi furnizon me ngrohje rreth 500 amvisëri dhe 14 institucione në Çair dhe Butel, përcjell Energy Monitor.
Investimi paraqet fazën e parë të një cikli më të gjerë për modernizimin e ish-Ngrohtores Shkupi Veri dhe zhvillimin e saj si qendër për prodhimin e kombinuar të energjisë elektrike dhe termike. TESSA Group, e cila mori përsipër ish-ngrohtoren në vitin 2024, planifikon edhe një fazë të dytë me ndërtimin e një centrali të ri kogjenerues me 10.5 MW kapacitet të instaluar.
Faza e dytë parashikon tre gjeneratorë me gaz nga 3.5 MW secili dhe një investim të vlerësuar deri në 10 milionë euro. Sipas planit të kompanisë, kapaciteti shtesë do të rrisë prodhimin vendor të energjisë elektrike dhe do të forcojë sistemin e ngrohjes qendrore në Shkup.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, e ka lidhur investimin edhe me përmirësimin e cilësisë së ajrit në Shkup, duke e cilësuar përdorimin e teknologjive më efikase si një nga mënyrat për të ulur ndotjen. Megjithatë, bëhet fjalë për prodhim nga gazi natyror, jo për një burim të ripërtëritshëm energjie.
Projekti synon kështu të kombinojë prodhimin lokal të energjisë elektrike me furnizimin me ngrohje, duke shfrytëzuar më mirë energjinë e prodhuar nga gazi dhe duke zgjeruar kapacitetet e sistemit të ngrohjes qendrore në Shkup.



