Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria nuk përfiton 228 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, vonesat prekin edhe reformat në energji

Shqipëria nuk përfiton 228 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, vonesat prekin edhe reformat në energji

Ashtu si Kosova, edhe Shqipëria po përballet me pasoja financiare për shkak të vonesave në zbatimin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ndërsa Kosova ka humbur 43.8 milionë euro për shkak të mos përmbushjes së disa kushteve, Shqipëria nuk ka arritur të përfitojë 228.47 milionë euro të parapara për investime, sipas auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Sipas raportit të KLSH-së për zbatimin e buxhetit të vitit 2025, deri në fund të vitit të kaluar nuk ishte disbursuar asnjë fond nga ky komponent, i cili menaxhohet përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), në bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Nga financimi i përgjithshëm prej 922.09 milionë eurosh që Shqipërisë i janë paraparë përmes Planit të Rritjes, deri në fund të vitit 2025 ishin disbursuar 76.2 milionë euro si mbështetje buxhetore. Ndërkaq, financimi për projekte infrastrukturore mbeti i palëvruar, pasi nuk ishin finalizuar marrëveshjet e nevojshme me EIB-në dhe BERZH-in, përcjell Energy Monitor.

KLSH-ja evidenton vonesa në përmbushjen e reformave në disa fusha, përfshirë qeverisjen e ndërmarrjeve shtetërore, klimën e biznesit, energjinë, sigurinë kibernetike, sistemin gjyqësor dhe transparencën e financave publike.

Përfitimi i fondeve nga Plani i Rritjes kushtëzohet nga përmbushja e 95 masave cilësore dhe sasiore të Agjendës së Reformave, të cilat vlerësohen nga Komisioni Evropian. Komponenti i huasë në kuadër të financimit të përgjithshëm arrin në 657.46 milionë euro.

Vonesat në zbatimin e reformave energjetike janë veçanërisht të rëndësishme për sektorin, pasi një pjesë e investimeve të parapara në kuadër të WBIF-it lidhen me modernizimin e infrastrukturës dhe tranzicionin energjetik.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com