Home / Lajme / Tjera / Dyshimet për 40 milionë euro dëm në tenderët e KEK-ut, hetimi bllokohet nga konflikti i interesit

Dyshimet për 40 milionë euro dëm në tenderët e KEK-ut, hetimi bllokohet nga konflikti i interesit

Rreth 30 tenderë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në të cilët dyshohet për koordinim të ofertave ndërmjet kompanive, janë identifikuar nga Autoriteti i Konkurrencës si procedura që mund të kenë shkaktuar rreth 40 milionë euro dëm potencial.

Megjithatë, pavarësisht dyshimeve të evidentuara pas shqyrtimit të qindra procedurave të prokurimit, hetimi formal nuk ka mundur të hapet për shkak të problemeve me funksionimin e Komisionit të Autoritetit dhe konfliktit të interesit të vetëdeklaruar nga njëra prej anëtareve të tij.

Sipas përgjigjes zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës për portalin Kujdestari.info, gjatë monitorimit janë identifikuar 18 deri në 25 operatorë ekonomikë për të cilët ekzistojnë dyshime për koordinim të mundshëm të ofertave në procedurat e prokurimit të KEK-ut. Vlerësimi paraprak i grupit punues e vendos dëmin potencial në rreth 40 milionë euro.

Monitorimi kishte nisur pas kërkesës së vetë udhëheqësisë së KEK-ut, e cila kishte ngritur shqetësime për parregullsi dhe marrëveshje të mundshme ndërmjet kompanive pjesëmarrëse në tenderë.

Kujdestari.info raportoi se, ndonëse kishte kërkuar listën e tenderëve të dyshuar, emrat e operatorëve ekonomikë, numrat identifikues të procedurave dhe vlerat e tyre, Autoriteti nuk i kishte bërë publike këto të dhëna. Institucioni e kishte arsyetuar refuzimin me ndjeshmërinë e rastit dhe rrezikun që publikimi të ndikonte në veprimet e ardhshme hetimore.

Ndërkaq, pengesa kryesore për nisjen e hetimit lidhet me konfliktin e interesit të vetëdeklaruar nga nënkryetarja e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Kaltrina Sela. Sipas institucionit, tri kompani të familjes së saj të ngushtë janë në mesin e operatorëve ekonomikë të përfshirë në aktivitetet e monitoruara.

Meqë vendimi për hapjen e procedurës hetimore i takon Komisionit, përjashtimi i nënkryetares nga vendimmarrja për shkak të konfliktit të interesit, së bashku me kërkesat ligjore për kuorum, ka pamundësuar shqyrtimin e çështjes.

Autoriteti nuk i ka identifikuar kompanitë në fjalë dhe as nuk ka bërë të ditur se në cilët tenderë të KEK-ut kanë marrë pjesë. Vetëdeklarimi i konfliktit të interesit nuk përbën dëshmi se nënkryetarja apo kompanitë e familjarëve të saj kanë kryer shkelje.

Çështja nuk është e re. Në gusht të vitit 2025, KosovoEnergy kishte raportuar se KEK-u i ishte drejtuar Autoritetit të Konkurrencës për shqyrtimin e rreth 800 tenderëve të zhvilluar gjatë periudhës 2020–2024, me vlerë të përgjithshme mbi 200 milionë euro.

Në atë kohë, Autoriteti kishte konfirmuar se po analizonte procedurat për dyshime mbi praktikat e njohura si bid-rigging, përkatësisht marrëveshje të ndaluara ndërmjet operatorëve ekonomikë për manipulimin e konkurrencës në tenderë.

Në mesin e praktikave që po shqyrtoheshin ishin tërheqja e koordinuar e ofertave, rotacioni i fituesve, ndarja e tregut ndërmjet kompanive dhe paraqitja e ofertave fiktive për të krijuar përshtypjen e konkurrencës.

Vlerësimi i fundit paraqet një fazë më të avancuar të shqyrtimit, pasi nga qindra procedura të pranuara janë veçuar rreth 30 tenderë dhe deri në 25 operatorë ekonomikë për të cilët janë evidentuar dyshime më konkrete. Megjithatë, dallimi ndërmjet numrit të tenderëve fillimisht të referuar dhe atyre të identifikuar gjatë monitorimit nuk shoqërohet me publikimin e listës së procedurave apo rezultateve individuale të analizës.

Problemet me funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës janë evidentuar edhe në raportimet e mëparshme. Në korrik 2026, KALLXO kishte raportuar se Komisioni nuk kishte mbajtur mbledhje që nga 29 prilli 2025. Dy anëtarë kishin dhënë dorëheqje, ndërsa mungesa e kuorumit dhe çështjet e konfliktit të interesit kishin pamundësuar vendimmarrjen.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com