Bizneset në Kosovë mund të përfitojnë kredi deri në 3 milionë euro për investime në efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërtëritshme, përmes bashkëpunimit ndërmjet Bankës TEB dhe Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK). Financimi mundësohet përmes Dritares së Rimëkëmbjes dhe Mundësive të Gjelbërta (GROW), e cila synon të lehtësojë qasjen e ndërmarrjeve në kredi për investime që ulin konsumin e energjisë dhe mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm.
Skema parasheh garanci kreditore deri në 70%, ndërsa ekspozimi maksimal kreditor arrin në 7 milionë euro. Bizneset mund të aplikojnë për kredi deri në 3 milionë euro, me afat kthimi deri në 120 muaj. Kushtet e përditësuara përfshijnë edhe tarifa më të ulëta të garancisë.
Përmes kësaj skeme, garancia e FKGK-së synon të zvogëlojë pengesat që bizneset hasin gjatë sigurimit të financimit, veçanërisht sa i përket kërkesave për kolateral. Sipas TEB-it, ndër përfitimet e mundshme janë edhe normat preferenciale të interesit, varësisht nga kushtet e financimit të ofruara nga banka.
Investimet e pranueshme përfshijnë masa të efiçiencës së energjisë, si izolimi i ndërtesave, pajisjet dhe modernizimi i linjave të prodhimit. Në anën tjetër, financimi mund të përdoret edhe për instalimin e kapaciteteve të vogla të prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme, përfshirë energjinë diellore, të erës, biomasën dhe atë gjeotermale, deri në 400 kilovat, përcjell Energy Monitor.
Për ndërmarrjet, investimet e tilla mund të sjellin ulje të shpenzimeve operative përmes zvogëlimit të konsumit të energjisë dhe prodhimit të një pjese të saj nga burimet e ripërtëritshme. Kjo mund të ndihmojë gjithashtu në modernizimin e proceseve të prodhimit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve.
Dritarja GROW është pjesë e instrumenteve të FKGK-së për zgjerimin e qasjes në financim dhe mbështetjen e investimeve të gjelbra në sektorin privat. Përmes garancive kreditore, fondi synon të ndajë një pjesë të rrezikut me institucionet financiare dhe të mundësojë financimin e bizneseve që mund të kenë vështirësi në sigurimin e kolateralit të kërkuar.
Më shumë informacione për kushtet dhe investimet e pranueshme janë publikuar në faqen e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore – Dritarja GROW



