Bashkimi Evropian do të financojë me 2.1 milionë euro përgatitjen e projekteve teknike dhe mbikëqyrjen e ndërhyrjeve për përmirësimin e efiçiencës së energjisë në 50 ndërtesa publike në Shqipëri. Programi përfshin ndërtesa në katër bashki: Berat, Shkodër, Korçë dhe Përmet.
Ministria e Financave e Shqipërisë ka hapur procedurën e prokurimit për kontratën e shërbimeve, me vlerë të parashikuar prej 2.1 milionë eurosh pa TVSH. Financimi sigurohet nga BE-ja përmes Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III), në kuadër të programit “BE për Energjinë 2024–2027”.
Ndërtesat e përzgjedhura paraprakisht përfshijnë kopshte, zyra administrative, biblioteka dhe qendra sociale e kulturore. Ato do t’i nënshtrohen auditimeve energjetike dhe vlerësimit sipas përparësisë, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 468/2024.
Kontrata përfshin auditimin energjetik të 50 ndërtesave, hartimin e projekteve teknike të detajuara, dokumentacionin për lejet e ndërtimit, preventivat dhe përgatitjen e dokumenteve të tenderit për realizimin e punimeve. Kompania fituese do të jetë përgjegjëse edhe për mbikëqyrjen e punimeve.
Pas auditimeve, ndërtesat do të renditen sipas përparësisë për ndërhyrje. Përzgjedhja përfundimtare do të përfshijë objekte me sipërfaqe të përgjithshme prej të paktën 22 mijë metrash katrorë.
Megjithatë, 2.1 milionë eurot nuk janë të destinuara për punimet e renovimit, por vetëm për shërbimet e auditimit, projektimit dhe mbikëqyrjes. Punimet fizike do të prokurohen përmes një kontrate të veçantë, pas përfundimit të projektimit.
Kontrata e shërbimeve është ndarë në dy faza. E para do të zgjasë 24 muaj dhe përfshin auditimet energjetike dhe projektimin, ndërsa pas saj parashihet një periudhë 12-mujore për zhvillimin e tenderit të punimeve. Faza e dytë do të zgjasë 36 muaj dhe do të përfshijë mbikëqyrjen e zbatimit të ndërhyrjeve. Në total, kontrata do të zgjasë 72 muaj.
Procedura do të zhvillohet përmes konkurrimit të kufizuar në dy faza, ndërsa në fazën e dytë do të ftohen nga katër deri në tetë kandidatë. Ofertat do të vlerësohen me 80 për qind të pikëve për cilësinë teknike dhe 20 për qind për çmimin.
Afati për paraqitjen e kërkesave për pjesëmarrje është 22 dhjetori 2026, ndërsa fillimi i kontratës është paraparë për 29 tetor 2027.
Programi është pjesë e mbështetjes më të gjerë të BE-së për sektorin energjetik të Shqipërisë. Në korrik të vitit 2025, ishte prezantuar programi shumëvjeçar prej 79 milionë eurosh, i financuar nga IPA III dhe Qeveria shqiptare, që përfshin edhe investime në efiçiencën energjetike të ndërtesave publike në katër bashki.



