Home / Lajme / Kosova / Ymeri: Inflacioni u shkaktua nga çmimi i energjisë, jo nga Ngushtica e Hormuzit

Ymeri: Inflacioni u shkaktua nga çmimi i energjisë, jo nga Ngushtica e Hormuzit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka kritikuar Qeverinë për politikat energjetike dhe ndikimin e tyre në çmimet në vend, duke pretenduar se inflacioni nuk është shkaktuar nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, por nga çmimi i energjisë elektrike dhe shërbimeve.

Duke folur në seancën e Kuvendit për Raportin e Progresit, Ymeri tha se Qeveria ka dështuar të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe ngriti pretendime për lidhje të institucioneve me kompani të caktuara të tregtimit të energjisë.

“Inflacioni nuk është shkaktuar nga Ngushtica e Hormuzit, por nga energjia edhe nga çmimi i energjisë, edhe nga çmimi i shërbimeve”, tha Ymeri, përcjell Energy Monitor.

Ajo pretendoi se gjatë periudhës së përfshirë në raportin e progresit nuk është shënuar përparim në zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme dhe akuzoi institucionet për krijimin e një skeme që, sipas saj, u ka shërbyer interesave të kompanive të caktuara.

Deputetja e LDK-së përmendi edhe tregtarin e energjisë Vuk Hamoviq dhe ish-ambasadorin Martin Berishaj, duke ngritur akuza për financim të fushatës dhe borxhe ndaj Hamoviqit, përcjell Energy Monitor.

“A mund ta demantoni që nuk i keni marrë para Martin Berishajt për fushatë dhe nuk i keni borxh Vuk Hamoviqit, ujkut të qeverisë tuaj?”, pyeti Ymeri, duke iu drejtuar përfaqësuesve të Qeverisë dhe duke thënë se përgjigjen mund ta japë kryeministri Albin Kurti.

Pretendimet e deputetes u paraqitën gjatë debatit parlamentar dhe, në deklaratën e publikuar, nuk u shoqëruan me dokumente apo prova konkrete që do t’i vërtetonin akuzat për financim të fushatës ose borxhe ndaj tregtarit të energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com