Ndërsa zhvillimi ekonomik po lidhet gjithnjë e më shumë me teknologjinë, efikasitetin energjetik dhe mbrojtjen e mjedisit, tregu i punës në Kosovë po përballet me një sfidë të dyfishtë.
Bizneset kanë nevojë për kuadro të specializuara, ndërsa sistemi arsimor po nxjerr të diplomuar që jo gjithmonë përputhen me kërkesat praktike të industrisë.
Profile si arkitektë për ndërtesa me konsum të ulët energjetik, inxhinierë që përdorin simulime digjitale, teknikë të sistemeve fotovoltaike dhe profesionistë të teknologjive të reja po bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm për ekonominë e gjelbër në Kosovë.
Kjo mungesë shfaqet paralelisht me një potencial të madh të pashfrytëzuar në tregun e punës. Sipas raportit të Institutit GAP, “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore joaktive”, të publikuar në prill 2025, rreth 613 mijë persona, ose 57 për qind e popullsisë në moshë pune, ishin ekonomikisht joaktivë, bazuar në të dhënat e vitit 2024. Nga ky grup, 66 për qind ishin gra. Në të njëjtën kohë, kompanitë që synojnë produkte dhe shërbime inovative po kërkojnë aftësi më të thelluara dhe më të specializuara.
Një shembull i kësaj situate është kompania Spectra, e cila zbaton parime të qëndrueshmërisë dhe inovacionit në projektet arkitekturore.
Kompania përdor zgjidhje që synojnë uljen e ndikimit mjedisor të ndërtesave gjatë gjithë ciklit të tyre jetësor, përfshirë materialet e qëndrueshme, ekonominë qarkore, dizajnin modular dhe efikasitetin energjetik.
Në projektet e saj përfshihen edhe parimet Passivhaus, si orientimi optimal i ndërtesave, shfrytëzimi i ndriçimit natyror, kontrolli i fitimeve diellore dhe zvogëlimi i humbjeve termike.
Për realizimin e këtyre projekteve, Spectra përdor mjete digjitale për modelim, analiza dhe simulime, me qëllim përmirësimin e zgjidhjeve projektuese.
Megjithatë, kompania thotë se vështirësitë më të mëdha lidhen me gjetjen e arkitektëve dhe inxhinierëve të profilizuar në performancën energjetike të ndërtesave dhe projektimin e qëndrueshëm. Sipas saj, tregu ka nevojë për profesionistë që dinë të përdorin softuerë për kalkulimin dhe modelimin e performancës energjetike, të bëjnë simulime termike dhe analiza të ndriçimit natyror, si dhe të projektojnë sipas standardeve të konsumit të ulët energjetik.
Problemi, sipas kompanisë, nuk qëndron domosdoshmërisht te mungesa e të diplomuarve, por te mungesa e kandidatëve që bashkojnë njohuritë teorike me aftësi praktike dhe kompetenca të specializuara digjitale.
Spectra vëren se kandidatëve shpesh u mungojnë njohuri për materialet ndërtimore, sistemet konstruktive, detajet teknike dhe standardet e ndërtimit të qëndrueshëm.
Mangësi shihen edhe në menaxhimin e kohës dhe organizimin e detyrave. Për këtë arsye, përgatitja e një punonjësi të ri kërkon periudhë të konsiderueshme trajnimi, që në këtë rast arrin në gjashtë muaj.
/Telegrafi



