Shkupi do të jetë nikoqir i Forumit të parë të diplomacisë energjetike “Burimet e ripërtëritshme dhe gratë në energji”, i cili do të mbahet më 25 nëntor dhe do të mbledhë përfaqësues të qeverive, organizatave ndërkombëtare, institucioneve financiare, trupit diplomatik, kompanive energjetike dhe investitorëve.
Forumi synon të nxisë investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë, bashkëpunimin rajonal dhe përfshirjen më të madhe të grave në vendimmarrjen për sektorin energjetik.
Sipas Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale të Maqedonisë së Veriut, diskutimet do të përqendrohen në financimin e tranzicionit të gjelbër, tërheqjen e investimeve, partneritetet publiko-private dhe lidhshmërinë rajonale.
Një prej zhvillimeve kryesore të forumit do të jetë themelimi zyrtar i Rrjetit të diplomacisë së grave në energji, i cili synon të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim rajonal, rrjetëzim profesional dhe fuqizimin e rolit të grave në sektor.
Forumi organizohet nga Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, në partneritet me Zyrën e Kombeve të Bashkuara, Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Komisionin Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE).
Ngjarja pritet të shërbejë si platformë për shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e partneriteteve të reja për zhvillimin e projekteve të qëndrueshme energjetike në rajon.



