Home / Lajme / Rrjeti elektrik / KOSTT rrit me 350 MW kapacitetet e transmetimit me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi

KOSTT rrit me 350 MW kapacitetet e transmetimit me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka rritur për gjithsej 350 megavat (MW) Kapacitetin Neto të Transmetimit (NTC) në interkoneksionet me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, në kuadër të përgatitjeve për sezonin dimëror dhe sigurimin e kapaciteteve shtesë për tregtimin ndërkufitar të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit të KOSTT-it, rritja është realizuar përmes koordinimit teknik me operatorët e sistemeve të transmetimit të tri vendeve, bazuar në analiza të sigurisë dhe mundësitë e shfrytëzimit më efikas të infrastrukturës ekzistuese.

Kjo masë merr rëndësi të veçantë në kushtet kur Serbia vazhdon të pengojë shfrytëzimin për tregtim ndërkufitar të linjës interkonektive Kosovë–Serbi, pavarësisht obligimeve ndërkombëtare dhe vendimit të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, përcjell Energy Monitor.

Si pasojë, një pjesë më e madhe e nevojave për shkëmbim dhe tregtim të energjisë elektrike duhet të mbështetet në kapacitetet e interkoneksioneve me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

KOSTT vlerëson se kapacitetet shtesë do të lehtësojnë tregtimin ndërkufitar dhe qasjen e pjesëmarrësve të tregut në tregjet rajonale, duke krijuar më shumë mundësi për sigurimin e energjisë elektrike, veçanërisht gjatë dimrit, kur konsumi dhe nevojat për import zakonisht rriten, përcjell Energy Monitor.

Megjithatë, rritja e kapacitetit të transmetimit nuk nënkupton automatikisht sigurimin e energjisë apo uljen e çmimeve, por krijon më shumë hapësirë teknike për shkëmbimin e energjisë me vendet fqinje.

Operatori ka falënderuar homologët rajonalë për bashkëpunimin, duke theksuar se do të vazhdojë angazhimin për rritjen e kapaciteteve ndërkufitare dhe integrimin e tregut të Kosovës me tregjet evropiane.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com