Home / Lajme / Ndërkombëtare / Bangladeshi lidh centralin e parë bërthamor me rrjetin kombëtar të energjisë

Bangladeshi lidh centralin e parë bërthamor me rrjetin kombëtar të energjisë

I vendosur rreth 160 kilometra larg Dhakës, projekti “Rooppur” po realizohet me ndihmën financiare dhe teknike të Rusisë, në bazë të një marrëveshjeje të vitit 2015.

Sot, Bangladeshi lidhi centralin e tij të parë bërthamor me rrjetin kombëtar të energjisë në një fazë prove, duke u bërë kështu vendi i 33-të në botë që prodhon energji elektrike nga burime bërthamore, raporton Anadolu.

Zyrtari për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Shkencës dhe Teknologjisë, Md. Abdullah Al Mamun konfirmoi për Anadolu se energjia e prodhuar në centralin bërthamor është lidhur për herë të parë me rrjetin kombëtar, me një kapacitet prej 350 megavatësh.

Ky furnizim provë i energjisë vjen nga njësia e parë e Centralit Bërthamor “Rooppur”. I vendosur rreth 160 kilometra larg Dhakës, projekti “Rooppur” po realizohet me ndihmën financiare dhe teknike të Rusisë, në bazë të një marrëveshjeje të vitit 2015.

Komisioni i Energjisë Atomike të Bangladeshit, organi kryesor rregullator, njoftoi përmes një deklarate se energjia elektrike e prodhuar gjatë kësaj faze fillestare prove do të dërgohet në rrjetin kombëtar për një periudhë prej rreth tetë deri në 10 orë.

Pas një ndërprerjeje prej rreth 28 orësh, sistemi do të rilidhet për një periudhë tjetër prej katër deri në gjashtë orë, me qëllim përfundimin e vlerësimeve të nevojshme teknike dhe operacionale.

Sipas marrëveshjes me kontraktorin rus, sapo të përfundojë me sukses periudha 10-mujore e provës, njësia e parë do të fillojë furnizimin e plotë komercial me energji elektrike, thuhet në deklaratë.

Dërgesa e parë e lëndës djegëse bërthamore mbërriti në vend në vitin 2023. Megjithatë, për shkak të paqëndrueshmërisë politike në këtë vend të Azisë Jugore si dhe situatës globale, ecuria e projektit u ngadalësua.

Korporata shtetërore ruse e energjisë bërthamore “Rosatom” ka ofruar mbështetje teknike për funksionimin e centralit.

Kapaciteti i përbashkët prodhues i dy njësive në centralin “Rooppur” është 2.400 megavatë. Projekti, i cili përfshin dy njësi, ka një kosto prej përafërsisht 12.65 miliardë dollarësh dhe mbështetet nga kredi të rëndësishme të ofruara nga Rusia.

/aa.com.tr

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com