Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Regjistrohen nëntë sisteme baterish me kapacitet të deklaruar prej 3,264 MWh

Shqipëri: Regjistrohen nëntë sisteme baterish me kapacitet të deklaruar prej 3,264 MWh

Shqipëria po zgjeron kapacitetet për depozitimin e energjisë elektrike, në një kohë kur rritja e prodhimit nga centralet fotovoltaike po shton nevojën për fleksibilitet në sistemin elektroenergjetik.

Sipas vendimeve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), të marra gjatë muajit nëntor, janë regjistruar nëntë impiante me kapacitet të përgjithshëm të deklaruar prej rreth 3,264 megavat-orësh (MWh). Bëhet fjalë për sisteme baterish të lidhura me centrale fotovoltaike, por edhe për impiante të regjistruara në kuadër të licencave për tregtimin e energjisë elektrike.

Dy projektet me kapacitetin më të madh janë ato të shoqërive “SPV Blue 2”, me 1,600 MWh, dhe “SPV Blue 1”, me 400 MWh. Të dyja janë regjistruar në kuadër të licencave të tregtimit të energjisë elektrike.

Zgjerimi i kapaciteteve të depozitimit vjen pas një procesi të nisur këtë vit nga ERE për përfshirjen e baterive në aktivitetin e tregut energjetik. Në shtator, Shqipëria kishte nisur regjistrimin e impianteve të depozitimit, pas miratimit të rregullave përkatëse në kuadër të zbatimit të Ligjit për sektorin e energjisë elektrike.

Ndërkohë, kapacitetet fotovoltaike në Shqipëri vazhdojnë të rriten. Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, sistemit elektroenergjetik iu shtuan rreth 138 MW kapacitete të reja diellore, duke e çuar kapacitetin total të instaluar fotovoltaik në 667.93 MW.

Depozitimi i energjisë shihet si një nga zgjidhjet për të menaxhuar më mirë këtë rritje. Bateritë mundësojnë ruajtjen e energjisë gjatë orëve me prodhim të lartë diellor dhe livrimin e saj në orët kur prodhimi bie ose kërkesa për energji rritet. Kjo mund të ndihmojë në reduktimin e tepricave të prodhimit, balancimin e sistemit dhe shfrytëzimin më efikas të kapaciteteve të ripërtëritshme.

Zhvillimi i sistemeve të baterive është gjithashtu pjesë e planeve për ankandin e ardhshëm prej 300 MW energji diellore të kombinuar me sisteme të ruajtjes së energjisë, për të cilin BERZH ka nisur përgatitjet teknike dhe ligjore në bashkëpunim me institucionet shqiptare.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com