Home / Lajme / Rajoni / Tarifat nxitëse për BRE-të i kushtuan Serbisë 1.52 miliardë euro për 12 vjet

Tarifat nxitëse për BRE-të i kushtuan Serbisë 1.52 miliardë euro për 12 vjet

Serbia ka paguar gjithsej 1.52 miliardë euro përmes tarifave nxitëse (feed-in tariffs) për prodhuesit e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, gjatë periudhës 2013–2025. Përmes kësaj skeme janë mbështetur kapacitete prej 619 MW, të cilat kanë prodhuar 13.6 TWh energji elektrike.

Siç ka shkruar Balkan Green Energy News, analiza e konsulentit energjetik Dejan Stojadinović tregon se tarifat nxitëse kanë ndihmuar në tërheqjen e rreth 1.5 miliardë eurove investime dhe në shmangien e importeve të energjisë elektrike me vlerë të vlerësuar prej 1.47 miliardë eurosh.

Pjesa më e madhe e kapaciteteve të mbështetura janë parqe me erë, me gjithsej 400 MW, ndërsa portofoli përfshin edhe hidrocentrale të vogla, centrale me biogaz dhe impiante solare.

Rreth 68 për qind e pagesave për tarifat nxitëse, përkatësisht 1.035 miliardë euro, janë financuar nga konsumatorët përmes një tarife shtesë në faturat e energjisë elektrike. Pjesën tjetër e ka mbuluar ndërmarrja shtetërore Elektroprivreda Srbije (EPS).

Sipas analizës, prodhimi nga këto kapacitete ka kontribuar edhe në shmangien e rreth 8.1 milionë tonëve të emetimeve të CO₂.

Skema e tarifave nxitëse është përdorur nga Serbia për të garantuar çmime të përcaktuara për prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme, duke ofruar siguri më të madhe për investimet dhe duke nxitur zhvillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com