Home / Lajme / Kosova / Kurti flet për drejtimet e ardhshme të energjisë, paralajmëron vendime të reja pas ndryshimeve në tregjet globale

Kurti flet për drejtimet e ardhshme të energjisë, paralajmëron vendime të reja pas ndryshimeve në tregjet globale

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar diskutime dhe vendime të reja për të ardhmen energjetike të Kosovës, duke përmendur ndryshimet në tregjet ndërkombëtare, modernizimin e termocentraleve ekzistuese, gazifikimin e linjitit dhe mundësinë e shfrytëzimit të gazit të lëngshëm (LNG) përmes terminalit të Vlorës në Shqipëri.

Duke folur në Kuvendin e Kosovës për situatën në sektorin e energjisë dhe planifikimet për vitet e dekadat e ardhshme, Kurti tha se periudha prej pesë vjetësh e gjysmë nga programi qeverisës i pranverës së vitit 2021 deri te programi i ardhshëm, i paralajmëruar për vjeshtën e vitit 2027, është karakterizuar nga ndryshime të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, përcjell Energy Monitor.

Ai u pajtua me deputetin e PDK-së, Besnik Tahiri, se situata aktuale dallon dukshëm nga ajo e vitit 2021, veçanërisht për shkak të ndryshimeve gjeopolitike, gjeostrategjike dhe në zinxhirët e prodhimit e furnizimit.

“Do të kemi diskutime të reja, vendime të reja, sa i përket situatës me energjinë elektrike dhe vizionit dhe planifikimeve në vitet dhe dekadat në vijim”, deklaroi Kurti.

Si faktorë që kanë ndikuar në politikat energjetike, ai përmendi luftën në Ukrainë pas agresionit rus dhe konfliktin në Lindjen e Mesme, të cilat, sipas tij, kanë shkaktuar tronditje në tregjet ndërkombëtare dhe pasoja në furnizimin me energji elektrike dhe inflacion.

Kurti foli edhe për atë që e quajti zbehje të valës së gjelbër në politikat ndërkombëtare të gjenerimit dhe furnizimit me energji elektrike, duke theksuar se Kosova duhet t’i përshtatë planet e saj me zhvillimet e reja.

Megjithatë, ai tha se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj burimeve të ripërtëritshme, efikasitetit energjetik dhe kogjenerimit, ndërsa në planet për të ardhmen ka përfshirë edhe dy alternativa që lidhen me gazin: gazifikimin e linjitit dhe shfrytëzimin e LNG-së përmes terminalit të Vlorës.

Sa i përket gazifikimit të linjitit, Kurti tha se në zgjedhjet e fundit kanë marrë zotimin për ta shqyrtuar seriozisht dhe sa më parë këtë mundësi. Kosova, sipas tij, posedon rezerva prej 10 deri në 14 miliardë tonësh qymyr, të cilat i cilësoi si rezervat e pesta më të mëdha në botë dhe të dytat në Evropë.

“Ne kemi fituar edhe me zotimin tonë për shqyrtimin serioz sa më parë të mundësisë për gazifikimin e linjitit”, tha ai.

Gazifikimi nënkupton shndërrimin e qymyrit në gaz sintetik, i cili mund të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike dhe procese industriale. Qeveria e ka paraqitur këtë teknologji si një nga alternativat për shfrytëzimin e rezervave vendore të linjitit, ndërsa më herët ka kërkuar edhe mbështetje teknike dhe investime amerikane për shqyrtimin e mundësisë së rikthimit të kësaj teknologjie në Kosovë, transmeton Energy Monitor.

Një tjetër mundësi që Kurti e përmendi është shfrytëzimi i gazit të lëngshëm natyror që arrin në terminalin e Vlorës në Shqipëri. Sipas tij, Kosova mund ta përdorë këtë gaz për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri dhe më pas ta marrë energjinë përmes linjës së interkoneksionit 400 kilovoltëshe ndërmjet dy vendeve.

“Kemi marrëveshje me Shqipërinë për shfrytëzimin e terminalit të Vlorës”, tha Kurti.

Ai nuk dha hollësi të reja për përmbajtjen, kushtet apo afatet e zbatimit të marrëveshjes, por iu referua bashkëpunimit të mëhershëm ndërmjet dy vendeve për shfrytëzimin e infrastrukturës energjetike në Vlorë.

Investimet në termocentralet ekzistuese dhe planet B3 e B4

Kurti u ndal edhe te investimet për modernizimin dhe renovimin e kapaciteteve ekzistuese të prodhimit të energjisë elektrike, duke pretenduar se gjatë qeverisjes së tij janë realizuar më shumë investime të tilla sesa në periudhat e mëparshme.

“Kurrë nuk ka pasur më shumë investime për modernizimin dhe renovimin e termocentraleve ekzistuese”, deklaroi ai në Kuvend.

Në këtë kontekst, Kurti iu referua edhe programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje të vitit 2013, në të cilin ishin përfshirë projektet B3 dhe B4, duke thënë se ky program nuk është ndryshuar.

Deklarata e tij vjen në një periudhë kur modernizimi i termocentraleve Kosova A dhe Kosova B mbetet një nga çështjet kryesore të sigurisë së furnizimit me energji elektrike, ndërsa punimet për instalimin e pajisjeve të reja për reduktimin e ndotjes në njësinë B1 të Kosovës B kanë ndikuar edhe në disponueshmërinë e kapaciteteve gjeneruese.

Ujmani dhe zhvillimet në veri si faktorë të planifikimit energjetik

Një pjesë tjetër e fjalimit të Kurtit iu kushtua zhvillimeve në veri të Kosovës, të cilat ai i ndërlidhi drejtpërdrejt me mundësinë e planifikimit dhe zhvillimit të kapaciteteve të reja energjetike.

Ai përmendi sundimin e ligjit, pagesën e energjisë elektrike dhe kontrollin mbi Liqenin e Ujmanit si tri zhvillime që, sipas tij, kanë ndryshuar kushtet për planifikimin energjetik krahasuar me pesë vjet e gjysmë më parë.

“Nuk mund të bësh planifikime të reja, s’mund të zhvillosh vizione e strategji për kapacitetet energjetike përderisa nuk e kontrollon Ujmanin”, tha Kurti.

Ai gjithashtu pretendoi se Liqeni i Ujmanit ka më shumë se trefishin e sasisë së ujit të tri liqeneve të tjera të Kosovës, Radoniqit, Batllavës dhe Badovcit, të marra së bashku.

Kontrolli dhe menaxhimi i Ujmanit kanë rëndësi për planifikimin e përdorimit të ujit në sektorin energjetik, veçanërisht për prodhimin në hidrocentralin e Ujmanit dhe menaxhimin e rezervave ujore.

Fjalimi i Kurtit në Kuvend vjen në një kohë kur Kosova po përballet me sfida në sigurimin e energjisë elektrike, varësi nga importet gjatë periudhave të konsumit të lartë dhe nevojën për modernizimin e kapaciteteve ekzistuese. Paralajmërimi për diskutime dhe vendime të reja lë të hapur mundësinë që prioritetet e sektorit të rishikohen në kuadër të programit të ardhshëm qeverisës për periudhën pas vitit 2027.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com