Në kohën kur Qeveria e Kosovës vazhdon të refuzojë përfshirjen në projektet rajonale të gazit, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mustafa hodhi dyshime mbi alternativat që janë promovuar nga kryeministri Albin Kurti, veçanërisht idenë e gazifikimit të thëngjillit, duke kujtuar se ky model është provuar më herët në Kosovë dhe ka prodhuar rezultate problematike.
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar se Kosova po përballet me një vendim strategjik në sektorin e energjisë, duke theksuar se refuzimi i projekteve të gazit natyror të lëngshëm duhet të analizohet në kontekstin e sigurisë energjetike dhe marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.
Në një intervistë për VOX Kosova, Mustafa tha se strategjia energjetike e vendit nuk mund të trajtohet e shkëputur nga zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe interesat afatgjata të Kosovës.
“Kosova duhet ta analizojë me përgjegjësi strategjinë energjetike, e cila domosdoshmërisht zhvillohet në kontekstin aktual gjeopolitik. Lidhja me projektin e gazit natyror të lëngshëm nuk është ekonomikisht shumë e lehtë për një vend me ekonomi të vogël, si Kosova, por është zgjidhje për sigurinë energjetike dhe rikonfigurimin me partnerët strategjikë”, tha Mustafa.
Në kohën kur Qeveria e Kosovës vazhdon të refuzojë përfshirjen në projektet rajonale të gazit, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mustafa hodhi dyshime mbi alternativat që janë promovuar nga kryeministri Albin Kurti, veçanërisht idenë e gazifikimit të thëngjillit, duke kujtuar se ky model është provuar më herët në Kosovë dhe ka prodhuar rezultate problematike.
“Opsionet tjera kanë limite, siç është koha që nevojitet për të zëvendësuar thëngjillin me energji të ripërtëritshme, sikurse edhe gazifikimi i thëngjillit. Gazifikimi është sprovuar në Kosovë në ish-Jugosllavi me shumë e shumë të meta dhe pasoja, si ato ekonomike ashtu edhe ambientale”, deklaroi ai.
Sipas ish-kryeministrit, alternativa më e qëndrueshme mbetet përfshirja e Kosovës në projektet e gazit të lëngshëm, por kjo duhet të shoqërohet me mbështetje financiare ndërkombëtare për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme.
“Zgjidhja është në gazin e lëngshëm, por me sigurim nga burimet e jashtme, përfshirë ato amerikane, të fondeve për infrastrukturë dhe objekte përcjellëse për gjenerim të energjisë dhe të ngrohjes. Gjithsesi duhet të kihet kujdes për afatin që Kosova mund ta përballojë në kthimin e investimit”, përfundoi Mustafa.
/NACIONALE



