Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) gjatë vitit 2025 ka lidhur kontrata të negociuara në vlerë prej rreth 1.6 milionë euro, për shkak të mangësive në procedurat e rregullta të prokurimit, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).
Sipas raportit, kontratat përfshijnë tre marrëveshje për furnizim me acid klorhidrik (31–33%) në vlerë totale prej 240,030 euro dhe tre kontrata për furnizim me lëndë djegëse – mazut, në vlerë totale prej 1,404,465 euro, ka raportuar KosovaPress.
ZKA thekson se përdorimi i procedurave të negociuara ka ardhur si rezultat i pamundësisë për të përfunduar procedurat e hapura të prokurimit, pas ankesave të ofertuesve dhe shqyrtimeve nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).
Në rastin e furnizimit me acid klorhidrik, raporti vë në pah se procedura kishte dështuar për shkak të kritereve të cilësuara si diskriminuese, ndërsa në procedurat e negociuara KEK kishte ftuar më shumë se një operator ekonomik për ofertim.
Sa i përket furnizimit me mazut, ZKA evidenton se procesi i prokurimit është karakterizuar me ankesa të shumta gjatë viteve 2024–2025, kthime të përsëritura në rivlerësim nga OSHP dhe anulim të aktivitetit të prokurimit në dhjetor 2025, njofton Energy Monitor.
Sipas raportit, mosfinalizimi i procedurave të rregullta dhe shtyrjet e përsëritura kanë çuar në lidhjen e gjashtë kontratave të negociuara pa publikim, duke krijuar rrezik për vazhdimin e kësaj praktike edhe në të ardhmen.
ZKA ka rekomanduar që Bordi i Drejtorëve i KEK-ut të analizojë në mënyrë të plotë rrethanat që kanë çuar në këtë situatë dhe të sigurojë që dosjet e prokurimit të jenë në përputhje me kërkesat ligjore.
KEK nuk është pajtuar me gjetjet e ZKA-së, duke theksuar se procedurat kanë filluar në vitin 2024 dhe janë trajtuar nga institucionet përkatëse, përfshirë OSHP-në dhe në një rast edhe Gjykatën Komerciale.
Ndërmarrja thekson se furnizimi me këto materiale është esencial për funksionimin e termocentraleve dhe se mungesa e tyre mund të shkaktojë krizë energjetike. KEK shton se përkundër përdorimit të procedurave të negociuara, ato janë zhvilluar me konkurrencë dhe me ftesë për operatorë të ndryshëm ekonomikë, duke u bazuar edhe në listat e importuesve të siguruara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.



