Kompania kineze SANY Renewable Energy ka nisur zyrtarisht ndërtimin e projekteve të parkut me erë Alibunar 1 dhe Alibunar 2 në verilindje të Serbisë, me një kapacitet të kombinuar prej 168 megavatësh.
Projekti përfaqëson investimin e parë të kompanisë në Evropë dhe pritet të fillojë prodhimin e energjisë elektrike në fillim të vitit 2028., njofton Balkan Green Energy News.
Sipas të dhënave të publikuara nga Balkan Green Energy News, projektet Alibunar 1 dhe Alibunar 2 kanë siguruar më herët kontrata për diferencë (CfD) në ankandet serbe për energjinë e ripërtëritshme dhe do të kenë një kapacitet respektiv prej 96.6 MW dhe 71.4 MW.
Parku me erë pritet të prodhojë rreth 480 GWh energji elektrike në vit, ndërsa energjia e prodhuar do të blihet nga kompania shtetërore serbe EPS përmes një marrëveshjeje afatgjate të shitblerjes së energjisë, transmeton Energy Monitor.
Kompania SANY ka bërë të ditur se Serbia konsiderohet një nga tregjet kyçe për zgjerimin e saj në Evropë dhe se po shqyrton edhe investime të tjera në projekte të energjisë së ripërtëritshme në vend. Sipas kompanisë, portofoli i saj në Serbi mund të arrijë deri në 800 MW kapacitete të instaluara në të ardhmen.



