Tre kompani të parakualifikuara nga Franca, Gjermania dhe Turqia, të cilat tashmë kanë avancuar në fazën përfundimtare të ankandit të parë të Kosovës për ndërtimin e një centrali me erë me kapacitet prej 50 deri në 100 MW, morën pjesë në Konferencën e Para-Ofertimit të organizuar nga Ministria e Ekonomisë.
Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve të sektorit të energjisë, partnerëve ndërkombëtarë dhe ofertuesve të parakualifikuar, të cilëve iu prezantuan sqarime mbi aspektet teknike, rregullative dhe kontraktuale të projektit, me synim përgatitjen e ofertave sa më cilësore dhe garantimin e trajtimit të barabartë të të gjithë pjesëmarrësve.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ankandi i parë për energjinë e erës do të shërbejë si model për ankandet e ardhshme të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.
“Ky ankand i erës, të cilin po e përmbyllim këtë verë, është ankandi i parë i erës, por do të jetë model edhe për ankandet e ardhshme”, deklaroi Rizvanolli.
Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, vlerësoi se procesi do të krijojë investime të reja dhe do të kontribuojë në transformimin e sektorit energjetik të vendit, njofton Energy Monitor.
Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, theksoi se projekti do të shtojë kapacitetet prodhuese të Kosovës, duke forcuar sigurinë dhe besueshmërinë e sistemit elektroenergjetik. Ai konfirmoi se KOSTT do të mbështesë realizimin e projektit në përputhje me kornizën ligjore dhe në koordinim me të gjitha palët e përfshira.
Përfaqësuesi i Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Visar Perani, e cilësoi këtë si projektin më të madh të zhvilluar deri më tani në sektorin e energjisë në Kosovë.
Ky projekt është bërë i mundur falë mbështetjes së fortë të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) si këshilltar i transaksionit, e mbështetur nga Qeveria e Gjermanisë, si dhe Qeverisë së Luksemburgut përmes LuxDev.
Ankandi për parkun e erës me kapacitet 50-100 MW përbën projektin e parë konkurrues të këtij lloji në Kosovë dhe është pjesë e përpjekjeve për rritjen e investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë, forcimin e sigurisë energjetike dhe përmbushjen e objektivave të tranzicionit energjetik dhe dekarbonizimit.



