Home / Lajme / Rajoni / Serbia fillon fazën e dytë të projektit me KfW, 31.9 milion euro investime në ngrohtoret rajonale

Serbia fillon fazën e dytë të projektit me KfW, 31.9 milion euro investime në ngrohtoret rajonale

Serbia ka nisur fazën e dytë të një programi për modernizimin e sistemeve të ngrohjes qendrore në disa komuna të vendit, me mbështetjen e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), Bashkimit Evropian dhe Qeverisë gjermane.

Faza e re e projektit ka një vlerë totale prej 31.9 milionë euro dhe synon zgjerimin dhe modernizimin e ngrohtoreve rajonale, si dhe kalimin gradual nga lëndët fosile drejt përdorimit të biomasës si burim më i pastër energjie për ngrohje.

Sipas Ministrisë së Minierave dhe Energjisë së Serbisë, investimet do të përqendrohen në përmirësimin e infrastrukturës së ngrohjes në disa qytete, përmes ndërtimit të kapaciteteve të reja me biomasë dhe rehabilitimit të rrjeteve ekzistuese të shpërndarjes së nxehtësisë.

Në Prijepolje parashikohet ndërtimi i një kaldaje me biomasë prej 6 MW, së bashku me rreth 3.3 kilometra rrjet të ri ngrohjeje dhe 43 nënstacione të modernizuara, si dhe pajisje për prodhimin e çipsit të drurit. Ndërsa në Novi Pazar, sistemi i ngrohjes do të zgjerohet me një kaldajë të re me biomasë prej 5 MW, si dhe me elemente shtesë të integrimit të energjisë diellore, përcjell Energy Monitor.

Autoritetet vlerësojnë se projekti do të kontribuojë në rritjen e efikasitetit energjetik dhe në uljen e ndjeshme të emetimeve të CO₂, duke gjeneruar rreth 55,000 MWh ngrohje nga burime të ripërtëritshme në vit dhe duke reduktuar emetimet me rreth 20,000 tonë në vit.

Financimi i fazës së dytë përbëhet nga një kredi prej 20 milionë euro nga KfW, 9.9 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian dhe 2 milionë euro grant nga Qeveria gjermane. Ky program bazohet në fazën e parë të zbatuar ndërmjet viteve 2018 dhe 2024, e cila ka përfshirë disa projekte të ngrohjes qendrore në nivel komunal.

Ky zhvillim konsiderohet pjesë e strategjisë më të gjerë të Serbisë për modernizimin e sektorit të ngrohjes urbane, uljen e ndotjes së ajrit dhe rritjen e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme në sistemet lokale të energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com