Home / Lajme / Energjia konvencionale / Rizvanolli: Në KEK po zhvillohet cikël investimesh, paralelisht me projekte të reja energjetike

Rizvanolli: Në KEK po zhvillohet cikël investimesh, paralelisht me projekte të reja energjetike

Në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) po realizohen investime që, sipas ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk janë ndërmarrë për 40 vitet e fundit, ndërsa paralelisht po zhvillohen edhe projekte të reja në fushën e energjisë së ripërtëritshme.

Duke folur në emisionin EURO në T7 me gazetarin Menduh Abazi, Rizvanolli tha se një nga ndërhyrjet kryesore ka qenë në Termocentralin “Kosova B”, ku blloku B2 vitin e kaluar ka qenë përkohësisht jashtë funksionit për shkak të modernizimit të turbinave.

Investime në KEK që nuk janë ndërmarrë për dekada

“Në KEK janë duke u bërë investime që nuk janë bërë 40 vitet e fundit. Termocentrali Kosova B, më saktësisht blloku B2 vitin e kaluar ka qëndruar jashtë funksionit për shkak se është bërë modernizimi i turbinave,” tha ajo.

Sipas saj, këtë vit po vazhdon një proces i ngjashëm edhe në bllokun B1, si pjesë e një cikli më të gjerë investimesh në kapacitetet ekzistuese.

Vazhdimi i modernizimit në bllokun B1

“Investimet tjera që janë duke u bërë në KEK tani sivjet, investim i ngjashëm sikur në bllokun B2 që është bërë vitin e kaluar, tani po bëhet në B1. Po modernizohet turbina,” u shpreh Rizvanolli.

Ajo përmendi gjithashtu investime në kullën ftohëse, gypat e kaldajave dhe projekte të tjera përcjellëse, përfshirë elektrofiltrat, që po realizohen me financim të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancim të KEK-ut.

“Ka pasur investim në kullë ftohëse, dhe gjithashtu në gypa të kaldajës, e investime tjera përcjellëse. Projekti i famshëm i elektrofiltrave, me financim të Bashkimit Evropian dhe kofinancim të KEK-ut,” tha ajo.

Efekti i investimeve: 20 vite jetëgjatësi dhe rritje e sigurisë së furnizimit

Sipas ministres, pas përfundimit të këtyre investimeve pritet rritje e kapacitetit prodhues, si dhe zgjatje e ndjeshme e jetës operacionale të termocentraleve për rreth 20 vitet e ardhshme, së bashku me ulje të konsiderueshme të ndotjes.

Ulja e ndotjes: deri në 97% më pak pluhur dhe 75% NOx

“Për 20 vitet e ardhshme do t’i kemi të sigurta, në kuptim që nuk do të dalin prej funksionit gjatë gjithë kohës, edhe ndotja prej pluhurit do të ulet deri në 97 për qind, dhe ndotja me okside të azotit deri në 75 për qind,” deklaroi ajo.

Rizvanolli theksoi se këto investime përbëjnë një ndryshim cilësor si në sigurinë e furnizimit, ashtu edhe në jetën e qytetarëve, veçanërisht në Prishtinë, Obiliq dhe Fushë Kosovë.

Avancim paralel i projekteve të energjisë së ripërtëritshme

Paralelisht me investimet në kapacitetet ekzistuese, sipas Rizvanollit po vazhdojnë edhe projektet e mëdha të energjisë së ripërtëritshme, përfshirë ankandet dhe ndërtimet në terren.

Solarët në Rahovec: puna filloi më 2 qershor

Në Rahovec, ajo tha se puna në terren për projektin solar ka nisur më 2 qershor dhe po vazhdon, ndërsa vonesat e mëhershme janë lidhur me çështje të brendshme të pronarëve dhe jo me aspektet kontraktuale me Qeverinë e Kosovës.

“Në Rahovec ka filluar puna më 2 qershor në terren dhe është duke vazhdu. Por çka është shumë me rëndësi është që projekti po vazhdon, që puna ka fillu dhe që projekti do të përfundojë,” tha ajo.

Ajo shtoi se bëhet fjalë për rreth 100 megavat kapacitet të ri në Kramovik, në kuadër të ankandit solar.

Zatriqi në fazën përfundimtare të ndërtimit

Ndërkohë, projekti në Zatriq është në fazën përfundimtare, ku ndërtimi pritet të përfundojë brenda javëve të ardhshme, ndërsa procesi i komisionimit mbetet procedural dhe ligjor.

“Shpresoj shumë që nuk do të kemi ndonjë pengesë. Mandati i bordit të ZRRE-së përfundon në fillim të gushtit. Projekti është në fund, por ka procedura testimi dhe komisionimi që janë ligjore dhe nuk mund t’u iket,” u shpreh ajo.

Rënia e kostos së paneleve solare do të ndikojë në rritjen e kapacitetit të parkut solar në Kramovik

Rizvanolli tha gjithashtu se projekti solar në Kramovik dhe në Gurin e Kuq, në pronësi të KEK-ut dhe në bashkëfinancim me Bashkimin Evropian dhe KfW, është në procedurë prokurimi dhe pritet të ketë kapacitet më të madh se planifikimi fillestar, për shkak të rënies së kostos së paneleve solare.

Ankandi i erës: tre konsorciume në garë për projektin

Sa i përket ankandit të erës, ajo bëri të ditur se procesi ka hyrë në fazën finale, pas konferencës së para-ofertimit me tri kompani ose konsorciume të kualifikuara: Akuo Energy nga Franca, Guris nga Turqia dhe NOTUS Energy nga Gjermania në konsorcium me Stublla Energy nga Kosova.

Sipas saj, ofertat finale priten në shtator, pas së cilës do të shpallet fituesi dhe do të nënshkruhet kontrata për fillimin e ndërtimit të projektit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com