Home / Lajme / Kosova / KEK: Kapacitetet prodhuese tejkaluan kërkesën për konsum me 8.2% gjatë qershorit

KEK: Kapacitetet prodhuese tejkaluan kërkesën për konsum me 8.2% gjatë qershorit

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njoftoi se gjatë muajit qershor 2026 ka siguruar kapacitete prodhuese që tejkaluan kërkesën për konsum të tregut të rregulluar, duke vënë në dispozicion 305,916 MWh energji elektrike.

Sipas të dhënave të publikuara nga KEK, kërkesa për konsum gjatë muajit ishte 282,608 MWh, ndërsa kapacitetet e ofruara arritën në 108.2% të kësaj kërkese, ose 8.2% më shumë se nevojat për furnizim.

Ndërmarrja thekson se, pas rikthimit në operim të njësive prodhuese, gjatë pjesës më të madhe të muajit janë ofruar kapacitete që kanë tejkaluar 120% të kërkesës ditore për konsum, përcjell Energy Monitor.

Sipas KEK-ut, ky rezultat reflekton stabilitetin operacional të termocentraleve dhe gatishmërinë për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike në vend.

Korporata vlerëson se arritja është veçanërisht e rëndësishme pasi vjen në një periudhë kur po zbatohen investime të mëdha në rehabilitimin dhe modernizimin e njësive gjeneruese, të cilat kanë mbi katër dekada funksionim.

Njëkohësisht, KEK njofton se është duke zhvilluar edhe projekte strategjike në fushën e energjisë së ripërtëritshme, si pjesë e planit për modernizimin dhe diversifikimin e portofolit të prodhimit të energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com