Analisti Bleron Baraliu ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet debati publik rreth gazit dhe projekteve të LNG-së, duke e cilësuar atë si “tejet destruktiv” dhe të larguar nga analiza reale e politikave energjetike.
Sipas tij, në diskursin aktual po krijohet një narrativë e shtrembëruar rreth rolit të gazit amerikan në rajon, ndërsa mungon një qasje e bazuar në fizibilitet ekonomik dhe kushte teknike konkrete për realizimin e projekteve.
Baraliu thekson se nuk bëhet fjalë për “pranim çorrazi” të asnjë opsioni energjetik, por për vendimmarrje të bazuar në analiza dhe kritere të qarta, duke shtuar se çdo projekt duhet të kalojë filtrin e qëndrueshmërisë dhe kostos reale, njofton Energy Monitor.
“Gazi amerikan është bërë një temë në vetvete tejet destruktive. Nuk ka ‘pranim çorrazi’ pa fizibilitet dhe pa kushte. Diskursi i krijuar ka kaluar në nivel imbecilik, për të mos thënë tragjikomik. Më së paku të drejtë këtu ka opozita, që po krijon narracion të rrejshëm të interesit ‘strategjik’ njëdimensional. Pak a shumë kauza e tyre është me të njejtën diatezë dhe (mos)peshë me revolucionin e ‘sorrave’ që po kërkon casus bellum përmes një qosheje të substancës“, Bleron Baraliu
Ai kritikon gjithashtu opozitën, duke thënë se po kontribuon në krijimin e një narrative të rreme mbi një interes “strategjik” të njëanshëm, duke e zhvendosur debatin nga energjia si çështje teknike dhe ekonomike në një përplasje politike.
Baraliu e përshkruan nivelin aktual të debatit si të degraduar dhe larg një diskutimi serioz institucional, duke theksuar nevojën për qasje më profesionale në trajtimin e sigurisë energjetike dhe opsioneve të furnizimit të vendit.



