Home / Lajme / Tjera / Sulmi në Ibër-Lepenc: mbi 376 mijë euro dëme, ndërprerje e furnizimit me ujë dhe rrezik për funksionimin e Kosovës B

Sulmi në Ibër-Lepenc: mbi 376 mijë euro dëme, ndërprerje e furnizimit me ujë dhe rrezik për funksionimin e Kosovës B

Sulmi ndaj kanalit të “Ibër-Lepencit” në Zubin-Potok më 29 nëntor 2024 ka shkaktuar dëme prej mbi 376 mijë eurosh, ndërsa ndërprerja e furnizimit me ujë ka rrezikuar funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës, përfshirë prodhimin në Termocentralin “Kosova B”.

Drejtori i Departamentit të Ujit dhe Gjenerimit në ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”, Ernest Kerqeli, ka deklaruar në cilësinë e dëshmitarit se dëmtimi i kanalit kishte krijuar një situatë kritike për furnizimin me ujë të termocentralit, pasi ky sistem është burimi kryesor i ujit për ftohjen e njësive prodhuese të “Kosovës B”.

“Kanali është arteria kryesore pa të cilin nuk mund të funksionojë Kosova në konceptin energjetik. Ky ujë, i cili vjen nga liqeni i Ujmanit dhe përfundon te Kosova B, është i domosdoshëm për ftohjen e turbinave të termocentralit. Pa ujë, ne si Kosovë nuk mund të prodhojmë energji elektrike”, ka deklaruar Kerqeli.

Sipas tij, përmes këtij kanali furnizohen edhe ujësjellësit për një pjesë të madhe të vendit, me mbi 500 mijë banorë që varen nga ky sistem.

Pas shpërthimit, ekipet e “Ibër-Lepencit” kanë ndërhyrë për të siguruar vazhdimin e rrjedhës së ujit drejt Termocentralit “Kosova B”. Si zgjidhje emergjente janë vendosur gjashtë gypa me diametër mbi 900 milimetra, me qëllim që furnizimi të mos ndërpritej plotësisht.

Kerqeli tha se gjatë natës kritike ishte arritur të rikthehej rreth 75 për qind e furnizimit normal, ndërsa furnizimi për ujësjellësit ishte ndërprerë për tre deri në pesë ditë. Edhe pas kësaj periudhe, disa sisteme nuk kishin arritur menjëherë kapacitetin e plotë, përcjell Energy Monitor.

“Dëmi ka qenë jashtëzakonisht i madh. Ne si ndërmarrje nuk jemi ballafaquar asnjëherë me një situatë të tillë”, tha ai.

Sipas tij, sanimi i dëmit është realizuar përmes një projekti për rehabilitimin e kanalit, i financuar përmes një kredie të Bankës Botërore. Raporti i përgatitur nga kompanitë mbikëqyrëse dhe konsulenca ka vlerësuar dëmin në 376,774.70 euro.

Sulmi në kanalin “Ibër-Lepenc” kishte ndodhur më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, në kanal ishte vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv TNT, duke dëmtuar rëndë infrastrukturën kritike të ujit dhe duke rrezikuar furnizimin me ujë të Termocentralit “Kosova B”.

Për këtë rast janë ngritur akuza ndaj disa personave për vepra penale që përfshijnë rrezikimin e rendit kushtetues përmes dëmtimit të instalimeve publike, kryerjen e veprës terroriste, armëmbajtje pa leje dhe spiunazh.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com