Home / Highlights / Shtyhet deri më 9 gusht afati për aplikim në Skemën e Granteve për Energji të Pastër – Faza II

Shtyhet deri më 9 gusht afati për aplikim në Skemën e Granteve për Energji të Pastër – Faza II

Afati për aplikim në Skemën e Granteve për Energji të Pastër – Faza II është shtyrë deri më 9 gusht 2026, duke u dhënë ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme më shumë kohë për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm. 

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), njoftoi se afati i ri vlen deri më 9 gusht 2026, ora 24:00, ndërsa kushtet dhe kriteret e aplikimit mbeten të pandryshuara nga thirrja publike e publikuar më 7 korrik 2026. 

Fillimisht, afati për aplikim ishte deri më 27 korrik 2026, ndërsa Energy Monitor kishte raportuar më herët për hapjen e fazës së dytë të skemës dhe mundësinë që bizneset të aplikonin për mbështetje financiare në investime për energji të pastër dhe efiçiencë të energjisë, njofton Energy Monitor.

Skema synon të mbështesë ndërmarrjet në investime që lidhen me uljen e konsumit të energjisë dhe përdorimin e teknologjive më efikase. Mbështetja përfshin investime në sisteme solare fotovoltaike, bateri për ruajtjen e energjisë elektrike, masa të efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve, si dhe pajisje që ndihmojnë në uljen e konsumit në proceset prodhuese. 

Në kuadër të kësaj skeme, bizneset mund të përfitojnë mbështetje deri në 20 mijë euro për secilën masë individuale, ndërsa kombinimi i disa masave mund të arrijë deri në 25 mijë euro, sipas kritereve të përcaktuara në thirrje. 

Skema e Granteve për Energji të Pastër është pjesë e projektit për tranzicionin energjetik dhe zbutjen e klimës në Kosovë, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i zbatuar nga KIESA në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor (LuxDev). 

Aplikimi vazhdon të bëhet përmes platformës eKosova, ndërsa dokumentacioni dhe udhëzuesit për aplikim janë në dispozicion në platformat zyrtare të institucioneve përgjegjëse. 

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com