Home / Lajme / Kosova / FKEE koordinon me Bankën Botërore dhe BE-në zbatimin e projekteve të efiçiencës së energjisë

FKEE koordinon me Bankën Botërore dhe BE-në zbatimin e projekteve të efiçiencës së energjisë

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) zhvilloi një takim pune me përfaqësues të Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian, në kuadër të koordinimit të aktiviteteve për zbatimin e projekteve të efiçiencës së energjisë në sektorin publik.

Sipas njoftimit të FKEE-së, gjatë takimit u diskutuan komponentët kryesorë të projektit, struktura e implementimit, rolet dhe përgjegjësitë e palëve, si dhe modalitetet operacionale për zbatimin e aktiviteteve.

Në fokus të diskutimeve ishin edhe çështjet që lidhen me menaxhimin financiar, procedurat e prokurimit, kërkesat për pajtueshmëri, menaxhimin e rreziqeve mjedisore dhe sociale, angazhimin e palëve të interesit, mekanizmat për trajtimin e ankesave, si dhe korniza e rezultateve dhe monitorimit të projektit, përcjell Energy Monitor.

Takimi kishte për qëllim harmonizimin e hapave të ardhshëm ndërmjet FKEE-së, Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian, me synim sigurimin e një zbatimi sa më efikas të investimeve prioritare në fushën e efiçiencës së energjisë dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët përmes ndërhyrjeve në sektorin publik.

FKEE ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë për planifikimin dhe realizimin e projekteve që synojnë uljen e konsumit të energjisë, rritjen e kursimeve energjetike dhe përmirësimin e performancës energjetike të ndërtesave publike.

/Energy Monitor

LEXO EDHE:

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com