Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Tre investime në rrjetin energjetik për zonat turistike të Alpeve

Shqipëri: Tre investime në rrjetin energjetik për zonat turistike të Alpeve

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), po zhvillon tre investime në infrastrukturën energjetike të zonave turistike të Alpeve Shqiptare, me synim përmirësimin e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë një inspektimi në projektin e linjës 35 kV dhe nënstacionit elektrik në Bogë, bëri të ditur se ky investim do të përmirësojë furnizimin për zonat turistike si Razma, Reçi dhe Dedajt.

Projekti përfshin ndërtimin e një linje të re 35 kV me gjatësi 28 kilometra dhe 90 shtylla, prej të cilave 89 janë instaluar tashmë. Punimet për ndërtimin e godinës së nënstacionit në Bogë kanë nisur dhe pritet që objekti të vihet në funksion deri në fund të muajit shtator.

Sipas Karakaçit, ndërhyrja synon të zgjidhë problemet e krijuara nga mungesa e investimeve ndër vite në këtë pjesë të rrjetit, ku furnizimi aktual mbështetet në linja të gjata dhe me ngarkesë të lartë.

Dy investime të tjera në Theth dhe Tamarë

Përveç projektit në Bogë, në zonën e Alpeve janë planifikuar edhe dy investime të tjera infrastrukturore.

Njëri prej tyre është linja Bogë – Theth, me gjatësi rreth 22 kilometra, ndërsa investimi i tretë lidhet me ndërtimin e nënstacionit të Tamarës, i cili do të mbulojë zonat turistike të Vermoshit dhe Lëpushës.

Sipas ministrit, këto projekte synojnë të rrisin kapacitetet e rrjetit në një zonë ku zhvillimi i turizmit ka sjellë edhe rritje të kërkesës për energji elektrike.

Investimet në rrjet vijnë në një periudhë kur operatorët energjetikë në Shqipëri po përballen me sfidën e modernizimit të infrastrukturës dhe përballimit të rritjes së konsumit gjatë periudhave me temperatura të larta.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com