Raporti i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë tregon se Shqipëria mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor me kosto zero të karbonit për eksportet e energjisë elektrike.
Shqipëria rezulton ndër vendet më të favorizuara nga zbatimi i Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit të Karbonit të Bashkimit Evropian (CBAM), pasi energjia elektrike e eksportuar drejt tregut evropian nuk i nënshtrohet kostos së karbonit sipas vlerave standarde të përcaktuara nga Komisioni Evropian.
Kjo është një nga gjetjet kryesore të raportit tremujor të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për tremujorin e dytë të vitit 2026.
Raporti tregon se Shqipëria ka faktor emetimi zero, çka përkthehet në zero euro kosto CBAM për çdo megavat-orë energji të eksportuar në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor përballen me kosto të konsiderueshme, që variojnë nga rreth 67 deri në mbi 86 euro për MWh, në varësi të intensitetit të emetimeve të tyre.
Sipas analizës, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, Shqipëria regjistroi edhe çmimin mesatar më të ulët të energjisë elektrike ndër zonat e monitoruara në Ballkanin Perëndimor, me 88.6 euro për MWh, ndërsa diferenca e çmimeve me tregjet e Bashkimit Evropian mbeti më e madhe se një vit më parë.
Megjithatë, raporti thekson se kjo lidhet jo vetëm me efektet e CBAM, por edhe me ndryshimet sezonale, kushtet hidrike dhe zhvillimet në tregjet evropiane të energjisë.
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë vëren se gjatë tremujorit të dytë janë zbutur disa nga efektet e para të hyrjes në fuqi të CBAM, por tregtia ndërkufitare e energjisë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian mbetet më e ulët krahasuar me vitin 2025.
Në të njëjtën kohë, tregtia brenda rajonit ka shënuar rritje, ndërsa flukset e energjisë po orientohen drejt korridoreve të reja.
Për Shqipërinë, raporti evidenton se eksportet drejt Greqisë mbetën pothuajse të pandryshuara në aspektin tregtar, ndërsa flukset fizike të energjisë ranë ndjeshëm pas prodhimit të lartë hidroenergjetik të regjistruar në tremujorin e parë të vitit.
Raporti paralajmëron se, megjithëse disa tregues janë përmirësuar, është ende herët për të nxjerrë përfundime për ndikimin afatgjatë të CBAM.
Sipas Sekretariatit, të dhënat tregojnë vetëm një lehtësim të pjesshëm të efekteve të para të mekanizmit, ndërsa nevojiten edhe tremujorë të tjerë për të përcaktuar nëse ndryshimet e vërejtura përfaqësojnë një transformim të qëndrueshëm të tregtisë rajonale të energjisë elektrike.
/albanianpost.com



