Rumania ka ndarë 150 milionë euro nga Fondi i Modernizimit i BE-së për zhvillimin e sistemeve të pavarura të ruajtjes së energjisë me bateri (BESS), të lidhura drejtpërdrejt me rrjetin kombëtar të energjisë elektrike.
Sipas kryeministrit në detyrë, Ilie Bolojan, skema synon të mbështesë krijimin e të paktën 2,174 MWh kapacitete të reja të ruajtjes së energjisë.
Në program mund të aplikojnë kompani të çdo madhësie, përfshirë edhe ndërmarrje të sapokrijuara, që veprojnë në prodhimin, transmetimin, shpërndarjen, tregtimin ose ruajtjen e energjisë elektrike.
Projektet do të përzgjidhen përmes një procedure konkurruese, ku përparësi do t’u jepet aplikuesve që kërkojnë shumën më të ulët të mbështetjes për MWh të instaluar. Mbështetja është e kufizuar në 69,000 euro për MWh, ndërsa një kompani mund të përfitojë deri në 15 milionë euro, pavarësisht numrit të projekteve që paraqet, përcjell Energy Monitor.
Investimet në BESS pritet të ndihmojnë Rumaninë në rritjen e fleksibilitetit të sistemit elektrik, veçanërisht në kushtet e zgjerimit të prodhimit nga burimet e ripërtëritshme. Bateritë mund të përdoren për të ruajtur energjinë kur prodhimi është i lartë dhe për ta kthyer atë në rrjet kur kërkesa rritet.
Skema prej 150 milionë eurosh është miratuar nga Komisioni Evropian në kuadër të mbështetjes për investimet në ruajtjen e energjisë dhe paraqet një tjetër hap të Rumanisë drejt forcimit të kapaciteteve të saj të ruajtjes dhe integrimit të burimeve të ripërtëritshme në rrjet.



