Home / Lajme / Tjera / Punëtori i KEK-ut humb jetën në aksident, rasti i dytë fatal brenda pak ditësh

Punëtori i KEK-ut humb jetën në aksident, rasti i dytë fatal brenda pak ditësh

Dhimbja për një tjetër jetë të humbur në vendin e punës rikthehet në KEK vetëm pak ditë pas një tjetër aksidenti fatal. Punëtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arbenit Ahmeti, ka humbur jetën sot pas një aksidenti të rëndë gjatë kryerjes së detyrave të punës.

Sipas KEK-ut, aksidenti ka ndodhur gjatë angazhimit në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV, ku Ahmeti ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda.

Pas aksidentit janë ndërmarrë menjëherë veprimet emergjente dhe punëtori është dërguar për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve.

Ky është rasti i dytë fatal në KEK brenda vetëm pak ditësh. Më 16 gusht, punëtori Haxhi (Selatin) Gojnovci humbi jetën në një aksident në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, derisa po kryente detyrat e punës në zonën e ekskavatorit. Gojnovci kishte qenë pjesë e KEK-ut që nga viti 1985 dhe kishte punuar në Korporatë për më shumë se 40 vjet.

Dy raste fatale në një periudhë kaq të shkurtër rikthejnë në vëmendje sigurinë dhe kushtet e punës në sektorin energjetik, veçanërisht në aktivitetet që përfshijnë tensionin elektrik dhe operacionet në mihje.

KEK-u ka shprehur ngushëllime për familjen Ahmeti, të afërmit, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë njohur të ndjerin.

Organet kompetente janë duke trajtuar rastin, ndërsa rrethanat e plota të aksidentit pritet të sqarohen në përputhje me procedurat përkatëse.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com