Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka kritikuar mënyrën se si po prezantohet si sukses ekonomik shitja e thëngjillit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se vendi po eksporton lëndën e parë në vend se ta shfrytëzojë atë për prodhim të energjisë dhe krijim të vlerës së shtuar.
AKB-ja ka ngritur pyetjen se ku është interesi ekonomik i Kosovës nga ky proces, duke kërkuar sqarim publik nëse marrëveshja me ESM-në e Maqedonisë së Veriut i jep kësaj kompanie të drejtën për tenderimin e nxjerrjes dhe transportit të thëngjillit nga Kosova.
“Dje humbëm mundësinë për të prodhuar energji. Sot po shesim lëndën e parë”, thuhet në reagimin e AKB-së.
Sipas kësaj organizate, Qeveria e Kosovës kishte anuluar kontratën me kompaninë amerikane ContourGlobal për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, projekt që, sipas AKB-së, synonte rritjen e prodhimit të energjisë elektrike, sigurinë energjetike dhe krijimin e mundësive për zhvillim dhe eksport të energjisë.
“Kosovës i duhet energji elektrike, investime dhe vende pune – jo vetëm shitje e pasurisë së saj natyrore”, thekson AKB.
AKB-ja ka kërkuar gjithashtu të sqarohet pse kompanitë kosovare nuk po përfshihen në zinxhirin ekonomik të nxjerrjes, transportit dhe shitjes së thëngjillit.
Në reagim përmendet edhe kompania “Kosova Thëngjill”, për të cilën AKB thotë se kishte mbi 170 punëtorë dhe ekskluzivitet në tregtinë e thëngjillit, por tashmë është mbyllur.
“Është e pakuptimtë që, në një kohë kur ‘Kosova Thëngjill’, kompani me mbi 170 punëtorë dhe me ekskluzivitet në tregtinë e thëngjillit, është mbyllur, sot krijohen mundësi që vlera ekonomike e këtij aktiviteti të përfundojë jashtë Kosovës”, thuhet në reagim.
AKB-ja ka vlerësuar se shitja e thëngjillit nuk mund të konsiderohet sukses ekonomik nëse pjesa më e madhe e vlerës së krijuar, punësimit, transportit dhe përfitimit mbetet jashtë Kosovës.
“Kjo nuk duhet të quhet sukses ekonomik nëse pjesa më e madhe e vlerës, punësimit, transportit dhe përfitimit krijohet jashtë Kosovës”, ka deklaruar AKB.
Në fund, AKB ka kërkuar që pasuria minerare e Kosovës të përdoret për prodhim të energjisë, investime, hapje të vendeve të punës dhe zhvillim të kompanive vendore.
“Thëngjilli është pasuri e Kosovës. Vlera e tij duhet të krijohet në Kosovë dhe të përfitojnë qytetarët, bizneset dhe ekonomia e vendit”, thuhet në reagimin e AKB-së.



