Home / Lajme / Tjera / Vdekja e punëtorit në KEK, ndalohet një person për 48 orë

Vdekja e punëtorit në KEK, ndalohet një person për 48 orë

Një tjetër aksident fatal në Korporatën Energjetike të Kosovës ka marrë jetën e një punëtori, ndërsa rasti tashmë ka kaluar në duart e Prokurorisë. Një person është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për rrezikim të sigurisë në vendin e punës. 

Punëtori i KEK-ut, Arbenit Ahmeti, ka humbur jetën më 20 gusht pas kontaktit me tensionin elektrik gjatë kryerjes së detyrave të punës. Sipas të dhënave fillestare të Prokurorisë, aksidenti ka ndodhur gjatë transportimit dhe zhvendosjes së kabllove 6 kV, ku viktima dyshohet se ka rënë në kontakt me tensionin dhe ka pësuar lëndime të rënda. 

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar një person me inicialet A.K. për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 358 i Kodit Penal të Kosovës. 

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Inspektorati i Punës dhe Inspektorati i Brendshëm i KEK-ut. Me urdhër të prokurorit kujdestar janë ndërmarrë veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. 

Vdekja e Ahmetit është rasti i dytë fatal në KEK brenda pak ditësh dhe i treti brenda pak më shumë se një muaji, sipas raportimeve. Rasti i fundit ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë në vendin e punës në Korporatë, veçanërisht pas reagimit të Sindikatës së Re të KEK-ut, e cila ka kërkuar që institucionet të fokusohen më shumë në parandalimin e aksidenteve sesa në reagimin pas tragjedive.

Hetimet do të përcaktojnë përgjegjësitë dhe rrethanat e plota të aksidentit. Ndalesa prej 48 orësh është masë gjatë fazës fillestare të hetimit dhe nuk nënkupton fajësi të personit të ndaluar.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com