Shqipëria ka marrë 62 pikë dhe është vlerësuar me performancë të kufizuar (“Limited”) në zbatimin e standardeve EITI të vitit 2023.
Vlerësimi i fundit tregon se Shqipëria ka bërë përparim në rritjen transparencës së sektorit minerar, por ende ka probleme me publikimin e plotë të informacioneve dhe me mënyrën se si këto të dhëna përdoren në vendimmarrje. Vlerësimi u miratua nga Bordi i EITI më 21 korrik 2026.
Më shumë të dhëna janë publike, por transparenca ende nuk është e plotë
Sipas EITI-t, Shqipëria ka përmirësuar publikimin e të dhënave për licencat, prodhimin, eksportet dhe pronësinë, ndërsa janë bërë hapa përpara edhe në publikimin e kontratave dhe informacionit mbi pronarët përfitues të kompanive.

EITI e vlerëson pozitivisht edhe përfshirjen e sektorit të hidrocentraleve, burimeve fotovoltaike dhe energjisë së ripërtëritshme në raportimet e Shqipërisë. Megjithatë, raporti evidenton ende mangësi në të dhënat për licencat, kontratat, të ardhurat, pronësinë, pagesat dhe transfertat në nivel vendor, si dhe pagesat mjedisore.
Qeveria duhet të ketë rol më të madh në mbikëqyrjen e procesit
Një nga dobësitë kryesore të evidentuara në raport lidhet me rolin e qeverisë në zbatimin e standardeve të EITI-t, përcjell Energy Monitor.
Ndryshimet e shpeshta në përfaqësimin e institucioneve shtetërore kanë ndikuar në vazhdimësinë e procesit, ndërsa grupi shumëpalësh, ku përfaqësohen qeveria, kompanitë dhe shoqëria civile, ka nevojë për mbikëqyrje më të fortë.
EITI kërkon që qeveria të ketë një rol më aktiv në drejtimin dhe mbikëqyrjen e procesit dhe që informacioni i mbledhur përmes nismës të përdoret më shumë në hartimin e politikave dhe në debatin publik.
Shqipëria duhet të përmirësojë 26 fusha para vlerësimit të ardhshëm
Si pjesë e vendimit, Bordi i EITI ka përcaktuar 26 masa korrigjuese që Shqipëria duhet t’i adresojë para vlerësimit të ardhshëm. Ato përfshijnë transparencën për licencat dhe kontratat, pronarët përfitues, prodhimin dhe eksportet, të ardhurat, pagesat dhe transfertat, si dhe publikimin e të dhënave në format më të qasshëm.
EITI kërkon gjithashtu përmirësime në informacionin për ndikimin mjedisor dhe social të aktiviteteve minerare, kostot e projekteve dhe mënyrën se si të dhënat përdoren për të informuar publikun. Për disa prej këtyre fushave, Bordi ka kërkuar që progresi të monitorohet edhe para vlerësimit të ardhshëm, njofton Energy Monitor.
EITI, ose Iniciativa për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse, është një nismë ndërkombëtare që synon të rrisë transparencën dhe llogaridhënien në menaxhimin e pasurive natyrore. Shqipëria është pjesë e saj që nga viti 2009.
Vlerësimet e EITI-t matin se sa mirë një vend publikon dhe përdor informacionin për pasuritë natyrore, nga licencat dhe prodhimi deri te të ardhurat dhe pronësia.
Për këtë arsye, 62 pikët e Shqipërisë nuk matin vetëm sasinë e informacionit të publikuar, por edhe sa efektivisht po përdoret transparenca për të përmirësuar qeverisjen e sektorit.



