Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës organizon protestë të mërkurën nga ora 08:00.
Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka marrë vendim që të organizojë protestë të mërkurën nga ora 08:00 për të shprehur pakënaqësinë dhe për t’u solidarizuar me familjet e punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës.
Kryetari i sindikatës së re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka bërë të ditur se në protestë do të marrin pjesë “tri divizione” të ndryshme për të kërkuar kushte më të sigurta, në një kohë kur brenda një një muaji kanë humbur jetën tre punëtorë të KEK-ut.
“Sot është diskutuar gjerë e gjatë për kushtet e punëtorëve dhe është vlerësuar e është konstatuar se kushtet janë jashtëzakonisht të vështira, por edhe siguria e punëtorëve dhe pajisjet mbrojtëse janë mungesë jashtëzakonisht e madhe në KEK”, ka theksuar ai.
Ai ka njoftuar gjithashtu se do të protestojnë në mënyrë simbolike edhe të martën para objektit të drejtorisë në rrugën Toskana në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.



