Home / Lajme / Kosova / Berisha: Kosovës i duhet një Strategji e re për Energjinë

Berisha: Kosovës i duhet një Strategji e re për Energjinë

Eksperti i energjisë Dr. sc. Sylejman Berisha, Prof, ass. vlerëson se Strategjia e Energjisë së Kosovës 2022–2031 nuk po jep rezultatet e pritshme dhe se vendi duhet të nisë hartimin e një strategjie të re, me fokus më të madh te siguria energjetike dhe ulja e varësisë nga importet.

Berisha ngre pikëpyetje nëse objektivat e strategjisë aktuale kanë qenë tepër ambicioze për kapacitetet financiare të Kosovës, nëse projektet po realizohen sipas afateve dhe nëse vendi ka bërë përparim në dekarbonizim, uljen e ndotjes dhe sigurinë e furnizimit me energji.

Sipas tij, një strategji e re duhet të vendosë në qendër sigurinë energjetike, shfrytëzimin e rezervave vendore të linjitit, çmimin e përballueshëm të energjisë dhe uljen e varësisë nga importet.

Në propozimet e tij përfshihet mbyllja graduale e Kosovës A, vazhdimi i modernizimit të Kosovës B dhe ndërtimi i një termocentrali të ri me linjit dhe teknologji ultra-superkritike (USC). Paralelisht, Berisha propozon zhvillimin e energjisë diellore dhe të erës, baterive për ruajtjen e energjisë, biomasës dhe burimeve të tjera të ripërtëritshme, përcjell Energy Monitor.

Ai kërkon gjithashtu zhvillimin e infrastrukturës së gazit, përfshirë interkonektorët me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe sigurimin e burimeve alternative të gazit, përfshirë LNG-në.

Berisha argumenton se një kombinim i kapaciteteve të qëndrueshme prodhuese dhe burimeve të ripërtëritshme do t’i mundësonte Kosovës të forcojë sigurinë e furnizimit, të ulë kostot dhe të përmbushë njëkohësisht objektivat për reduktimin e ndotjes dhe dekarbonizimin.

Sipas tij, teknologjia ultra-superkritike do të rriste ndjeshëm efikasitetin e termocentraleve krahasuar me kapacitetet aktuale dhe do të mundësonte reduktimin e emetimeve ndotëse.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com