Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka kërkuar rritjen e standardeve për sigurinë dhe shëndetin në punë në KEK, duke insistuar që aksidentet të parandalohen përmes masave konkrete dhe jo të trajtohen vetëm pas ndodhjes së tyre.
Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, zhvilloi të hënën një takim me drejtuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës, së bashku me përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Energjetikës së Kosovës (SPEK). Në fokus të diskutimeve ishin rastet fatale në vendin e punës dhe mënyrat për përmirësimin e sigurisë.
Gjatë takimit, Hykolli kërkoi monitorim më të specializuar, kontrolle periodike shëndetësore, pajisje të përshtatshme mbrojtëse, mirëmbajtje të rregullt dhe trajnime profesionale për stafin.
BSPK dhe SPEK propozuan po ashtu ngritjen e një strukture profesionale që do të merret me parandalimin e aksidenteve, si dhe forcimin e Qendrës së Trajnimeve të KEK-ut.
Sipas KEK-ut, masat e sigurisë në vendin e punës janë shtuar, trajnimet profesionale janë zgjeruar dhe punëtorët po i nënshtrohen kontrolleve të rregullta mjekësore. Korporata ka bërë të ditur se, në rast të humbjes së jetës së një punëtori në vendin e punës, familja e tij merr përkujdesje të përhershme ekonomike në shumën e pagës mujore që ai ka marrë.
BSPK e ka vlerësuar këtë mbështetje si të rëndësishme për familjet, por ka theksuar se prioriteti kryesor duhet të jetë shmangia e humbjes së jetës.
“Vdekja e punëtorit në vendin e punës nuk guxon të politizohet. Çdo rast fatal kërkon hetim profesional, përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete parandaluese”, ka deklaruar Hykolli.
Pjesë e bisedimeve ishin edhe pajisjet mbrojtëse, shujta e punëtorëve, garantimi i mbështetjes ekonomike për të lënduarit dhe nevoja për përcaktimin e marrëdhënieve të punës përmes një kontrate kolektive.
Palët ranë dakord që bashkëpunimi të vijojë dhe çështjet e paraqitura të trajtohen më tej.
“Jeta e punëtorit nuk negociohet. Siguria e tij nuk shtyhet. Vdekja e tij nuk politizohet”, përfundon komunikata e BSPK-së.



