Home / Lajme / Tjera / KOSTT kërkon talente të rinj për sektorin e energjisë – aplikoni deri më 4 shtator

KOSTT kërkon talente të rinj për sektorin e energjisë – aplikoni deri më 4 shtator

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sh.A. ka hapur thirrjen për aplikim në Programin Hibrid të Zhvillimit të Talentëve, i cili synon t’u ofrojë të diplomuarve të rinj dhe absolventëve mundësi për zhvillim profesional dhe përvojë praktike në sektorin energjetik.

Programi kombinon përkrahjen financiare mujore përmes bursës së programit me praktikën profesionale të strukturuar në KOSTT. Pjesëmarrësit do të angazhohen në një proces të mbështetur përmes mentorimit, planit individual të zhvillimit, objektivave dhe indikatorëve të performancës, si dhe detyrave dhe produkteve konkrete të punës.

Sipas KOSTT-it, qëllimi është që të rinjtë të fitojnë njohuri dhe përvojë praktike që mund t’u shërbejnë në hapat e ardhshëm të karrierës së tyre në sektorin e energjisë, përcjell Energy Monitor.

CEO i KOSTT-it, Trim Ternava, tha se programi është krijuar për t’u ofruar të rinjve mundësi konkrete për zhvillim profesional dhe përvojë në sektor.

“Investimi në profesionistët e rinj është investim në kapacitetet dhe të ardhmen e sektorit energjetik të Kosovës”, tha Ternava.

KOSTT u ka bërë thirrje të diplomuarve të rinj dhe absolventëve që kanë interes për sektorin e energjisë, vullnet për të mësuar dhe ambicie profesionale që të aplikojnë në program.

Thirrja është pjesë e Politikës për Programin Hibrid të Zhvillimit të Talentëve të KOSTT-it. Thirrja mbetet e hapur nga deri më 04.09.2026 ora 23:59.

Detajet mbi kriteret, mënyrën e aplikimit dhe afatet mund të gjenden në thirrjen zyrtare të KOSTT-it.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com