Home / Lajme / Energjia e ripërtëritshme / Hapet gara për ide digjitale që ndihmojnë bizneset në Kosovë të bëhen më të gjelbra

Hapet gara për ide digjitale që ndihmojnë bizneset në Kosovë të bëhen më të gjelbra

Individët dhe ekipet me ide për zgjidhje digjitale që mund t’i ndihmojnë bizneset në Kosovë të bëhen më të gjelbra dhe më të qëndrueshme mund të aplikojnë në Digital Green Innovation Competition (DGIC) 2026.

Gara u drejtohet studentëve, profesionistëve, hulumtuesve, freelancerëve, të rinjve dhe ekipeve multidisiplinare që kanë një ide dhe duan ta zhvillojnë atë në një zgjidhje konkrete për bizneset.

Sipas organizatorëve, DGIC 2026 nuk është një skemë grantesh për biznese. Gara synon individë dhe ekipe që kanë ide inovative dhe duan të zhvillojnë zgjidhje digjitale me potencial për të përshpejtuar transformimin e gjelbër të sektorit privat në Kosovë, përcjell Energy Monitor.

Ide për një ekonomi më të qëndrueshme

Pjesëmarrësit ftohen të propozojnë zgjidhje që përdorin teknologjinë dhe inovacionin digjital për t’i ndihmuar ndërmarrjet të reduktojnë ndikimin e tyre në mjedis, të përdorin burimet në mënyrë më efikase dhe të përmirësojnë qëndrueshmërinë e aktiviteteve të tyre.

Fokusi në lidhjen mes digjitalizimit dhe tranzicionit të gjelbër synon të nxisë ide të reja që mund të aplikohen në sektorin privat të Kosovës.

Gara është e hapur për aplikues me profile të ndryshme, ndërsa ekipet multidisiplinare inkurajohen të marrin pjesë.

Pjesë e projektit për transformimin e gjelbër të bizneseve

Digital Green Innovation Competition 2026 zbatohet nga Kolegji Universum në kuadër të projektit “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë” (GPEK).

GPEK është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i zbatuar nga Helvetas.

Qëllimi më i gjerë i projektit është mbështetja e transformimit të gjelbër të ndërmarrjeve private në Kosovë dhe nxitja e zgjidhjeve që mund të kontribuojnë në një ekonomi më të qëndrueshme.

Si të aplikoni

Të interesuarit mund të gjejnë informacionin e plotë për garën dhe kriteret e aplikimit në thirrjen zyrtare.

Artikulli informues:
Lexo më shumë për Digital Green Innovation Competition 2026

Thirrja për aplikim:
Apliko në Digital Green Innovation Competition 2026

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com