Një delegacion i zgjeruar nga Kosova dhe Shqipëria po merr pjesë në CIGRE Paris Session 2026, një prej ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare për sektorin e energjisë elektrike dhe sistemet elektroenergjetike.
Pjesëmarrja e Kosovës, përmes CIGRE Kosovo, përfshin profesionistë që përfaqësojnë sektorët e prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike.
Nga Kosova në aktivitetet e CIGRE Paris 2026 po marrin pjesë Pranvera Dobruna Kryeziu, Trim Ternava, Shaban Neziri, Klodiana Çabiri, Avni S. Alidemaj, Arber Percuku, Turan Kocabayraktar, Alush Mexhuani, Erdoan Zasella, Blerton Mustafa, Rexhep Selimi, Drenusha Gashi dhe Kaltrina Imeri, njofton Energy Monitor.

Pjesëmarrja e profesionistëve nga Kosova dhe Shqipëria synon të kontribuojë në shkëmbimin ndërkombëtar të njohurive dhe përvojave për zhvillimin e sistemeve elektroenergjetike më të sigurta, reziliente dhe të qëndrueshme.
Prezantohet punimi për modernizimin e rrjetit të Kosovës
Në kuadër të sesioneve teknike të CIGRE Paris 2026, profesionistë nga KEDS kanë prezantuar një punim teknik mbi modernizimin e linjave ajrore të rrjetit elektrik në Kosovë.
Punimi, me titull “Modernization of Overhead Lines in Kosovo: Challenges, Technologies and Future Directions”, është prezantuar në kuadër të SC B2 – Overhead Lines, gjatë Poster Session.
Autorët e punimit janë Turan Kocabayraktar, Drenusha Gashi dhe Avni S. Alidemaj, ndërsa punimi mban numrin 12232_2026.

Studimi trajton sfidat e modernizimit të rrjetit ajror të shpërndarjes në Kosovë dhe përdorimin e teknologjive të avancuara për përmirësimin e infrastrukturës.
Në fokus janë ndër të tjera përçuesit e avancuar, përfshirë ACCC, si dhe teknologjitë digjitale Fault Indicator Detectors.
Sipas përshkrimit të punimit, këto teknologji mund të kontribuojnë në forcimin e rrjetit të shpërndarjes, përballimin e rritjes së kërkesës për energji elektrike dhe integrimin e burimeve të reja të energjisë së ripërtëritshme, përcjell Energy Monitor.
Përfaqësuesit e KOSTT, KEDS dhe OST në Forumin e udhëheqësve ekzekutiv
Përfaqësues të KOSTT, KEDS dhe operatorit shqiptar të transmetimit OST kanë marrë pjesë edhe në CIGRE CEO Forum, një forum i nivelit të lartë ku drejtues dhe përfaqësues të sektorit elektroenergjetik diskutojnë zhvillimet, sfidat dhe mundësitë që lidhen me të ardhmen e sistemeve të energjisë elektrike.

Sipas CIGRE Kosovo, forumi ofroi mundësi për dialog në nivel të lartë, shkëmbim të njohurive dhe diskutime strategjike mbi çështjet kryesore që po formësojnë sektorin.
Pjesëmarrja e operatorëve nga Kosova dhe Shqipëria në këtë forum e vendos rajonin në dialog të drejtpërdrejtë me komunitetin ndërkombëtar të energjisë elektrike.
Kosova pjesë e iniciativës OneGrid
CIGRE Kosovo po merr pjesë gjithashtu në iniciativën OneGrid, në kuadër të Node 3 – “T&D System Collaboration”, që fokusohet në bashkëpunimin ndërmjet sistemeve të transmetimit dhe shpërndarjes.

Përmes kësaj nisme, CIGRE Kosovo synon të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit, shkëmbimit të njohurive dhe zhvillimit të një sistemi elektroenergjetik më të integruar dhe më rezilient.
Bashkëpunim për Evropën Juglindore
Në kuadër të qëndrimit në Paris, CIGRE Kosovo ka marrë pjesë edhe në mbledhjen e Bordit Drejtues të CIGRE SEERC, e cila u zhvillua nën kryesimin e HRO CIGRE, njofton Energy Monitor.
CIGRE SEERC përfaqëson strukturën rajonale të CIGRE për Evropën Juglindore dhe mbledh përfaqësues të vendeve të rajonit për të diskutuar zhvillimet, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave në sektorin elektroenergjetik.
Sesioni i CIGRE Paris 2026 po mbahet nga 23 deri më 28 gusht në Paris, duke mbledhur ekspertë, profesionistë dhe drejtues të sektorit të energjisë elektrike nga vende të ndryshme të botës.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë ngjarje ndërkombëtare vë në pah angazhimin e profesionistëve dhe institucioneve të sektorit elektroenergjetik të vendit në diskutimet globale për modernizimin e rrjeteve, sigurinë e furnizimit, inovacionin, integrimin e energjisë së ripërtëritshme dhe tranzicionin energjetik.



