Home / Highlights / Përurohet Parku i Erës në Zatriq, Kosovës i shtohen 70 MW kapacitete të reja

Përurohet Parku i Erës në Zatriq, Kosovës i shtohen 70 MW kapacitete të reja

Parku i Erës në Zatriq të Rahovecit është përuruar me një kapacitet të instaluar prej 70 MW, duke i shtuar Kosovës kapacitete të reja për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë Artane Rizvanolli, kryetari i Rahovecit Smajl Latifi, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë Anne-Lise Cattin Hennin, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Turqisë Şeyda Çimeli Aydın, si dhe përfaqësues të Çalık Holding, Çalık Renewables dhe partnerëve të projektit, përcjell Energy Monitor.

Parku pritet të prodhojë rreth 185 GWh energji elektrike në vit, sasi që sipas ministres Rizvanolli mund të mbulojë konsumin vjetor të rreth 45 mijë amvisërive. Ajo tha se prodhimi nga era është veçanërisht i rëndësishëm gjatë muajve të ftohtë, kur kërkesa për energji në Kosovë është më e lartë dhe rritet nevoja për importe.

“Me 185 GWh orë energji të pastër në vit, projekti ka potencialin që të mbulojë konsumin vjetor të rreth 45 mijë amvisërive. Dhe përtej saj, fakti që po flasim për energji të erës, për kapacitete që kryesisht prodhojnë gjatë motit të ftohtë, kur kemi nevojë për më shumë energji, do të thotë që kontributi i këtij parku të erës prej 70 MW është i rëndësishëm për sektorin tonë energjetik dhe veçanërisht për zvogëlimin e importit gjatë muajve të ftohtë të dimrit”, ka shkruar ministrja Rizvanolli në rrjete sociale pas aktivitetit të përurimit.

Projekti është zhvilluar nga EV Wind Park SH.P.K., në partneritet me Çalık Renewables dhe Eurokos Holding. Parku përbëhet nga 12 turbina të erës, ndërsa investimi ka një vlerë prej rreth 124 milionë eurosh, përcjell Energy Monitor.

Financimi i projektit është siguruar nga banka gjermane Helaba, ndërsa kredia është garantuar nga agjencia zvicerane për sigurimin e eksporteve SERV.

Kryeministri Kurti tha se projekti paraqet një hap të rëndësishëm në rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet e pastra, ndërsa Rizvanolli e cilësoi Rahovecin si një nga komunat me rol të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme.

“Kosova ka potencial të madh për energji të ripërtëritshme. Prandaj, si qeveri e Republikës së Kosovës jemi duke ndërmarrë hapa konkretë për ta shfrytëzuar këtë potencial, përmes investimeve të mençura dhe në interes të qytetarëve dhe të gjeneratave që vijnë”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Parku i Erës në Zatriq ishte licencuar nga ZRRE në korrik, me dy projektet EV Wind Park Zatric 1 dhe Zatric 2 që së bashku kanë rreth 70 MW kapacitet.

Përurimi shënon përfundimin e një prej projekteve të reja më të mëdha të energjisë së erës në Kosovë dhe vjen pas disa muajsh ndërtimi dhe instalimi të turbinave në Zatriq.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com