Home / Highlights / Çalık, kompania turke që privatizoi KEDS-in, prapa investimit prej 124 milionë eurosh në parkun me erë në Zatriq

Çalık, kompania turke që privatizoi KEDS-in, prapa investimit prej 124 milionë eurosh në parkun me erë në Zatriq

Pas privatizimit të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Kosovë në vitin 2013, kompania turke “Çalık Holding” po zgjeron praninë në Kosovë edhe në sektorin e prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme.

Përmes kompanisë Çalık Enerji, grupi që së bashku me Limak Holding para 13 vitesh privatizoi KEDS-in dhe KESCO-n, tashmë qëndron prapa një prej investimeve më të mëdha në energjinë e erës në Kosovë – Parkut të Erës në Zatriq.

Projekti në Zatriq, me një vlerë të investimit prej rreth 124 milionë eurosh, do të ketë një kapacitet prej 73 MW dhe pritet të prodhojë rreth 185 GWh energji elektrike në vit, sasi kjo e mjaftueshme për të furnizuar afërsisht 45 mijë familje.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në mbledhjen e fundit ka licencuar projektet e erës EV Wind Park Zatric 1 dhe EV Wind Park Zatric 2.

Sa i përket pronësisë, deri vonë ishte krijuar përshtypja se projekti zhvillohej tërësisht nga një kompani vendore. Që nga faza e konceptimit, Parku i Erës në Zatriq është ideuar dhe zhvilluar nga kompania kosovare EV Wind Park SH.P.K. Megjithatë, në vitin 2025 struktura e pronësisë ndryshoi. Kompania kosovare shiti 75 për qind të aksioneve te Çalık Renewables, e cila mori përsipër sigurimin e financimit për projektin me vlerë 124 milionë euro.

Ndryshimi i pronësisë tashmë është regjistruar edhe në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK). Sipas të dhënave të ARBK-së, Çalık Renewables zotëron 75 për qind të aksioneve, ndërsa 25 për qind kanë mbetur në pronësi të kompanisë vendore Eurokos Holding.

Pronari i Eurokos Holding, Ylber Shamolli, tha për Buletinin Ekonomik se kompania kishte kaluar shtatë vjet në përpjekje për të siguruar financimin e projektit. Sipas tij, për shkak të procedurave të gjata burokratike dhe vonesave në pajisjen me leje, një numër investitorësh të interesuar u tërhoqën nga projekti.

Shamolli theksoi se marrëveshja me Çalık Renewables parashihte që kompania turke të siguronte financimin e nevojshëm për realizimin e projektit.

Pas përmbylljes me sukses të këtij procesi, Çalık fitoi 75 për qind të aksioneve në Parkun e Erës në Zatriq. Sipas një njoftimi nga Çalik Holding, ky është investimi i parë i Çalık Renewables në energjinë e ripërtëritshme jashtë Turqisë, si dhe projekti i parë me energji të erës që mbështetet nga Swiss Export Risk Insurance (SERV).

Financimi i është dhënë kompanisë projektuese EV Wind Park SH.P.K., ndërsa Çalik Enerji Swiss, dega e grupit për inxhinieri, prokurim dhe ndërtim (EPC), ka qenë përgjegjëse për realizimin e punimeve.

Parku me erë është ndërtuar në fshatin Zatriq të komunës së Rahovecit, zonë e konsideruar ndër më të favorshmet në Kosovë për shfrytëzimin e potencialit të erës. Projekti parashikon instalimin e 12 turbinave të prodhuara nga GE Vernova, me diametër rotori prej 158 metrash.

Por ky nuk është projekti i vetëm nga energjia e pastër që kompania turke synon në Kosovë. Përveç investimit në Zatriq, Çalık dhe partneri i tij Limak kanë shfaqur interes edhe për zgjerimin e mëtejshëm në sektorin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, duke marrë pjesë në ankandin e parë për energjinë diellore, ndërsa aktualisht po marrin pjesë edhe në ankandin e parë për energjinë e erës.

/Buletini Ekonomik

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com