Vëllimi i energjisë elektrike të tregtuar në tregun e energjisë për ditën në vijim (Day-Ahead) të ALPEX u rrit me rreth 40% në gusht, duke arritur në 244.6 GWh, nga 175.1 GWh në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Rritja e gushtit e çon në një nivel të ri aktivitetin në tregun e përbashkët të energjisë së Kosovës dhe Shqipërisë, pas rritjeve të regjistruara edhe në muajt paraprakë. Në qershor, vëllimi në tregun Day-Ahead u rrit me 45%, ndërsa në korrik arriti në 226.3 GWh, 31% më shumë se një vit më parë.
Me rezultatin e gushtit, tregtimi në ALPEX gjatë tetë muajve të parë të vitit ka arritur në 1,665 GWh, rreth 63% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo shifër përfshin tregtimin në tregun Day-Ahead dhe atë brenda-ditës (Intraday), përcjell Energy Monitor.
Rritja e aktivitetit vjen në një periudhë kur ALPEX po zgjeron edhe bazën e pjesëmarrësve dhe infrastrukturën e tregut. Në fund të gushtit, bursa arriti në 50 anëtarë, ndërsa këtë muaj nisi bashkëpunimin me Nord Pool për platformat e reja të tregtimit dhe klerimit. Një nga ndryshimet kryesore do të jetë kalimi drejt produkteve 15-minutëshe në tregjet Day-Ahead dhe Intraday.
Rritja e tregtimit në ALPEX është shoqëruar edhe me një aktivitet më të madh të energjisë së Kosovës në bursë. Vetëm gjatë korrikut dhe gushtit, KEK shiti përmes ALPEX rreth 94.4% të energjisë së tepërt që nxori në treg, gjithsej 90,526 MWh.



