Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Gjermanisë, Danimarkës dhe GIZ-it janë takuar në Prishtinë për mbledhjen e dytë të Komitetit Drejtues të Projektit të Energjisë në Kosovë, duke shqyrtuar progresin e bërë gjatë vitit të fundit dhe prioritetet për fazën e ardhshme.
Projekti, i cili mbështetet nga qeveritë e Gjermanisë dhe Danimarkës dhe zbatohet nga GIZ në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, synon të përmirësojë efiçiencën e energjisë dhe të zgjerojë përdorimin e burimeve të ripërtëritshme, veçanërisht në ndërtesa.
Gjatë vitit të fundit, puna është përqendruar në forcimin e efiçiencës së energjisë, përgatitjen e programeve të reja të financimit dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe komunave për planifikimin energjetik dhe klimatik. Në fokus kanë qenë gjithashtu varfëria energjetike, qëndrueshmëria ndaj ndryshimeve klimatike dhe barazia gjinore.
Në takimin në Prishtinë, partnerët diskutuan përvojat e deritanishme dhe përcaktuan prioritetet për fazën e ardhshme, me theks në kalimin nga përgatitja drejt zbatimit, përcjell Energy Monitor.
Kjo përfshin zbatimin në praktikë të rregullave të reja, kthimin e programeve të financimit në investime konkrete dhe zhvillimin e projekteve të zbatueshme nga komunat.
“Gjermania mbetet fuqishëm e përkushtuar për të mbështetur tranzicionin energjetik të Kosovës. Qëllimi ynë i përbashkët është i qartë: energji më e pastër, më e sigurt dhe më e përballueshme për qytetarët e Kosovës”, tha Daniel Alker, udhëheqës për Bashkëpunim Zhvillimor në Ambasadën Gjermane në Kosovë.
Projekti i GIZ-it për energjinë në Kosovë është paraparë të vazhdojë deri në shkurt të vitit 2029 dhe përfshin masa për zhvillimin e kuadrit rregullator, financimin e investimeve në efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme, si dhe mbështetjen e institucioneve dhe aktorëve lokalë.



