Fatura e Kosovës për importin e naftës po merr përmasa të mëdha. Në vetëm tetë muaj të këtij viti, vendi ka shpenzuar rreth 463 milionë euro për naftë të importuar, ndërsa gushti veçohet me një rritje të ndjeshme të importit.
Të dhënat për periudhën janar–gusht 2026 tregojnë se vlera e përgjithshme e importit të naftës ka arritur në rreth 462.9 milionë euro, ndërsa sasia e importuar ishte rreth 563.1 milionë kilogramë.
Shifrat tregojnë për një dalje të konsiderueshme të parave jashtë vendit për një prej produkteve kryesore të konsumit, ndërsa vetëm gjatë muajit gusht fatura iu afrua nivelit prej 90 milionë eurosh.
Gushti me faturë prej mbi 89 milionë eurosh
Vetëm gjatë gushtit 2026, Kosova importoi naftë në vlerë prej rreth 89.35 milionë eurosh, duke e bërë këtë muaj më të kushtueshmin e periudhës së analizuar.
Rritja bëhet edhe më e dukshme kur krahasohet me muajin paraprak.
Në korrik importi kishte vlerën rreth 76.39 milionë euro, që do të thotë se brenda vetëm një muaji fatura e importit u rrit për afro 13 milionë euro, apo rreth 17 për qind.
SHBA-ja burimi kryesor gjatë gushtit
Interesante është edhe prejardhja e naftës së importuar gjatë gushtit.
Sipas të dhënave, importi më i madh për nga vlera rezulton nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rreth 48.74 milionë euro.
Pas SHBA-së renditet Greqia, me rreth 15.97 milionë euro, ndërsa nga Emiratet e Bashkuara Arabe janë importuar rreth 11.58 milionë euro.
Nga Arabia Saudite importi arriti në rreth 9.12 milionë euro, ndërsa nga Maqedonia e Veriut rreth 3.39 milionë euro.
Vetëm këto pesë vende mbulojnë pjesën dërrmuese të faturës së importit të naftës gjatë muajit gusht. /Kujdestari.info



