Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: 110 milionë euro investime në prodhimin, transmetimin dhe efiçiencën e energjisë

Shqipëri: 110 milionë euro investime në prodhimin, transmetimin dhe efiçiencën e energjisë

Shqipëria dhe Gjermania do të financojnë me 110 milionë euro tre projekte në sektorin e energjisë, që përfshijnë modernizimin e HEC-it të Vaut të Dejës, digjitalizimin e rreth 40 nënstacioneve të transmetimit dhe rritjen e efiçiencës energjetike në konviktet universitare. Nga fondi total, 20 milionë euro do të jenë grant.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, tha pas mbledhjes së qeverisë shqiptare se një nga komponentët kryesorë të marrëveshjes lidhet me HEC-in e Vaut të Dejës, një prej kapaciteteve kryesore hidrike të vendit.

Sipas tij, HEC-i siguron rreth 28% të prodhimit total të energjisë elektrike të KESH-it. Investimi do të synojë modernizimin e impiantit dhe zgjatjen e jetëgjatësisë së tij operative me rreth 30 vjet.

Pjesë e marrëveshjes është edhe digjitalizimi i operimit të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike. Rreth 40 nënstacione do të përfshihen në këtë proces, me synim përmirësimin e menaxhimit të flukseve të energjisë dhe rritjen e efikasitetit dhe kapaciteteve të sistemit, përcjell Energy Monitor.

Komponenti i tretë lidhet me efiçiencën energjetike në sektorin publik. Pas përfundimit të investimeve në 15 konvikte universitare, marrëveshja e re parashikon ndërhyrje në 14 konvikte të tjera, me fokus uljen e konsumit të energjisë dhe përmirësimin e performancës energjetike të ndërtesave.

Investimet janë pjesë e marrëveshjes financiare mes qeverive të Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe synojnë modernizimin e kapaciteteve të prodhimit dhe transmetimit, përmirësimin e efiçiencës energjetike dhe forcimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike në vend.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com