Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë është rritur ndjeshëm gjatë korrikut, duke arritur në 415.84 GWh, ose 21.20% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Rritja e konsumit është nxitur veçanërisht nga industria dhe sektori komercial. Konsumi industrial arriti në 53.41 GWh, duke shënuar një rritje prej 180.80% krahasuar me korrikun e vitit 2025.
Sektori komercial konsumoi 124.62 GWh, ose 33.16% më shumë se një vit më parë, ndërsa konsumi i amvisërive u rrit me 2.24%, në 217.71 GWh.

Amvisëritë përbënin 52.4% të konsumit të përgjithshëm, sektori komercial 30%, ndërsa industria 12.8%.
Prodhimi vendor rritet lehtë, ‘shkëlqejnë’ hidrocentralet
Prodhimi bruto i energjisë elektrike nga të gjitha burimet arriti në 420.83 GWh në korrik, një rritje prej 1.36% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.
Pjesën dërrmuese të prodhimit e mbuluan termocentralet, të cilat prodhuan 386.26 GWh, ose 1.13% më shumë se një vit më parë.
Prodhimi nga hidrocentralet u rrit ndjeshëm, duke arritur në 14.12 GWh, ose 91.71% më shumë krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.

Ndërkaq, prodhimi nga era dhe energjia diellore ra me 20.95%, në 20.46 GWh.
Në total, burimet alternative mbuluan 8.31% të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike gjatë korrikut.
Importet bien, eksportet rriten
Pavarësisht rritjes së fortë të konsumit, importi i energjisë elektrike shënoi rënie. Kosova importoi 319.99 GWh energji elektrike gjatë korrikut, ose 5.23% më pak se në të njëjtin muaj të vitit 2025.
Në të njëjtën periudhë, eksportet arritën në 289.45 GWh, duke u rritur me 18.55%. Sipas ASK-së, në këtë shifër përfshihet edhe sasia e transmisionit.
Energjia elektrike bruto në dispozicion gjatë muajit ishte 451.37 GWh, ose 11.26% më pak krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.
Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të kërkesës për energji elektrike, e cila ka ardhur kryesisht nga industria dhe sektori komercial. Në anën e prodhimit, termocentralet vazhdojnë të mbulojnë pjesën dërrmuese të prodhimit vendor, ndërsa hidrocentralet shënuan rritje të fortë. Në të kundërt, prodhimi nga era dhe energjia diellore pati rënie.
Prodhimi i thëngjillit rritet 25%
Rritje është regjistruar edhe në prodhimin e thëngjillit. Sipas ASK-së, gjatë korrikut Kosova prodhoi 476.649 mijë tonë thëngjill, ose 25.28% më shumë se në korrikun e vitit 2025.
Të dhënat mujore të ASK-së janë preliminare dhe mund të rishikohen me publikimin e statistikave vjetore.



