Home / Lajme / Kosova / Rizvanolli: Kosova po krijon mundësi të reja për investime në energjinë e ripërtëritshme

Rizvanolli: Kosova po krijon mundësi të reja për investime në energjinë e ripërtëritshme

Kosova po synon të krijojë një treg më konkurrues dhe të parashikueshëm për investimet në energjinë e ripërtëritshme, ndërsa ankandet e energjisë elektrike pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve të reja.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e tha këtë gjatë Tryezës së Diskutimit “Si mund të tërheqë Kosova investitorë gjermanë në ankandet e ardhshme të energjisë së ripërtëritshme?”, të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, në kuadër të projektit të GIZ-it për mbështetjen e partneritetit për tranzicionin klimatik dhe energjetik.

Rizvanolli prezantoi zhvillimet në procesin e ankandeve të energjisë së ripërtëritshme, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një tregu konkurrues, transparent dhe të parashikueshëm për investitorët, përcjell Energy Monitor.

Gjatë diskutimit, ministrja foli për përvojën e fituar nga ankandet e para për energjinë diellore dhe të erës, si dhe për planet e institucioneve për ankandet e ardhshme.

Një prej proceseve që tashmë ka hyrë në fazën e vlerësimit është ankandi i parë i Kosovës për energjinë e erës. Në këtë proces janë dorëzuar oferta nga tre ofertues të kualifikuar, ndërsa ofertat po i nënshtrohen vlerësimit ligjor, administrativ dhe teknik përpara kalimit në fazën financiare.

Ankandi i erës synon zhvillimin e 50 deri në 100 MW kapacitete të reja, ndërsa procesi është mbështetur nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), me mbështetjen e Qeverisë së Gjermanisë dhe Luksemburgut përmes LuxDev, raporton Energy Monitor.

Rizvanolli e ka cilësuar më herët këtë proces si model për ankandet e ardhshme të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.

Në tryezën me investitorët gjermanë, ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë dhe të rritjes së pjesëmarrjes së kapitalit privat në sektorin energjetik.

Sipas saj, investimet private dhe zhvillimi i kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme janë të rëndësishme për përshpejtimin e objektivave energjetike të Kosovës dhe për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike.

Diskutimi u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve publike, sektorit privat, komunitetit ndërkombëtar, shoqërisë civile dhe ekspertëve të sektorit energjetik, përcjell Energy Monitor.

Tryeza shërbeu edhe si pjesë e përgatitjeve për Forumin Ekonomik Gjermano-Kosovar, duke vendosur në fokus mundësitë për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet kompanive gjermane dhe sektorit energjetik të Kosovës.

Për Kosovën, interesi i investitorëve të huaj vjen në një periudhë kur sektori energjetik po kalon nëpër një seri projektesh të reja, nga ankandet për kapacitete të erës dhe diellit te sistemet e magazinimit dhe zhvillimi i rrjetit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com